Insajderi
Hulumtime/Analiza

Pretendime për ngacmim seksual, s’iu dha rroga punëtores- Për çka u gjobit kompania e deputetit të VV’së dhe e vëllait të tij

Insajderi
30 April 2026 - 15:09
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Pretendime për ngacmim seksual, s’iu dha rroga punëtores- Për çka u gjobit kompania e deputetit të VV’së dhe e vëllait të tij
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
Shkruan: - Besnik Gashi

Emri i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Ahmeti, së fundmi u bë i famshëm për shkak të ortakërisë së tij me oligarkun nga Shqipëria, Marin Gjonaj. Gjonaj është pronar në ETMT ENERGY, kompani kjo për të cilën u zbulua se qarkulloi 16 milionë euro për një muaj nga tregtimi i rrymës në Kosovë. Ahmeti, përveçqë merr para nga Kuvendi i Kosovës, ushtron edhe veprimtari biznesore në Kosovë. Bashkë me vëllain e tij, Liridon Ahmetin, tregtojnë fruta dhe perime përmes bizneseve “Doni Fruits” dhe “Frutaria SHPK”. Inspektorati i Punës ka shqiptuar gjoba në këto dy kompani për shkelje të të drejta të punëtorëve. Gazeta Insajderi ju sjell detaje ekskluzive:

Gazeta Insajderi përmes qasjes në dokumente publike ka arritur të sigurojë vendime dhe gjoba të Inspektoratit Qëndror të Punës në kompaninë e Ejup dhe Liridon Ahmetit, të cilat janë inspektuar nga viti 2024 deri në vitin 2026. Inspektorati ka shqiptuar gjoba ndaj kompanive të “Ahmetëve” për shkelje, si: mos-dhënia e pagës e rrezikshmëria në punë. Sidoqoftë, dënimet e shqiptuara janë simbolike. Në to ka edhe pretendime për gjuhë ofenduese dhe ngacmime seksuale, për të cilat inspektorati ka thënë se s’janë në kompetencën e tyre t’i trajtojnë.

Inspektorati i Punës përgjatë vitit 2024 e kishte gjobitur në lartësi prej 1,300 eurosh biznesin “Frutaria SHPK” të Liridon Ahmetit, vëllait të Ejup Ahmetit. Një punonjëse përmes emailit më 4 prill kishte denoncuar se “Doni Fruits” s’ia kishte ekzekutuar pagën për 15 ditë në mars të 2024-ës.

Pas gati dy javësh, inspektorët kishin kryer inspektimet në biznes duke kërkuar dëshmi të kontratës së punës, deklarimin e ATK’së dhe atë të pagës mujore për punonjësën, e cila mbante pozitën e punës “asistente e shitjes” në “FRUTARIA SHPK”.

“Punëdhënësi “FRUTARIA” SH.P.K, prezantoi për të punësuaren … dëshminë e pagës mujore për muajin shkurt 2024 provë: dokumenti i ProCredit Banki datës 08.03.2024, ndërsa nuk prezantoi dëshmi për ditët e punës për muajin mars ku në këtë rast ka bërë shkelje të dispozitës së nenit 55 paragrafi 4 të Ligjit të Punës Nr.03/L-212, sipas të cilit punëdhënësi duhet të nxjerrë një deklaratë për çdo pagesë të paguar të punëtorëve e cila mund të paguhet përmes transferit bankar ose me para të gatshme dhe të mbajë regjistrimin e pagesave të bëra, për punën e kryer nga e punësuara“, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Dënimin inspektorati e kishte llogaritur edhe për shkeljen e ligjit lidhur me mënyrën e shkëputjes së kontratës.

“Punëdhënësi “FRUTARIA” SH.P.K, nuk prezantoi dëshmi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të punësuares … në këtë rast nuk ka zbatuar dispozitën ligjore të nenit 70 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4.2 punëdhënësi mund t’a ndërpres kontratën e punës të punësuares pa periudhë të kërkuar të paralajmërimit për shkelje të përsëritura ose pakënaqshme të detyrave të punës“, thuhet ndër të tjera në arsyetim të vendimit.

Po ashtu, ka pasur edhe pretendime ankimore se tek biznesi “Frutaria SHPK” është përdorur gjuhë ofenduese dhe ngacmime seksuale. Megjithatë, Inspektorati i Punës ka thënë se s’është kompetencë e tyre ta trajtojnë këtë gjë.

“Sa i përket pretendimeve ankimore se tek biznesi “FRUTARIA” SH.P.K, ka përdorur gjuhë ofenduese dhe ngacmime seksuale Inspektorati Qendror i Punës nuk është kompetent lidhur me këtë pretendim ankimor dhe i njëjti mund të drejtohet në organet tjera kompetente“, vijon arsyetimi.

Përgjatë vitit 2025, inspektorët kishin kryer inspektime të rregullta në kompaninë e Ejup Ahmetit “Doni Fruits”, e cila në letra figuron në emër të Beqir dhe Hajrush Ahmetit (djali i xhaxhait të Ejup Ahmetit). Kompania ishte gjobitur në vlerë prej 500 eurove, për shkak të ekspozimit të rrezikshmërisë në punë ndaj punëtorëve.

“Punëdhënësi “Doni Fruits” SH.P.K, ka prezentuar dëshmi për të punësuarit nga marrëdhënia e punës në harmoni me dispozitat ligjore të Ligjit të Punës Nr.03/L-212, ndërsa edhe përkundër afatit të dhënë kohorë i njëjti nuk ka përmbush obligimin ligjor, pra nuk ka prezentuar aktin e vlerësimit të riskut për pozitat e punës të punësuarit … me qëllim të parandalimit të rrezikut në vendin e punës, përfshirë dhe ekspozimin e të punësuarve nga elemente dhe mjete të dëmshme dhe të rrezikshme për shëndetin dhe sigurinë në punë dhe gjatë procesit të punës“, thuhet në arsyetimin e vendimit të Inspektoratit Qëndror të Punës.

Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në adresë të “Doni Fruits” dhe “FRUTARIA SHPK” për këto gjoba, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.

Në prill të 2026-ës, Isuf Bislimi humbi jetën teksa po punonte në depon e “Doni Fruits” në Shtime.

Ai dyshohet se është goditur rëndë në kokë nga dera hidraulike e një kamioni që u mbyll teksa ai po punonte në depo. Fillimisht ai u dërgua në urgjencë në Shtime dhe më pas në Ferizaj, por nuk i mbijetoi plagëve të marra.

Dy persona u intervistuan gjatë hetimit, ndërsa menaxheri i ndrrimit të pasdites u arrestua dhe u ndalua për 48 orë.

Gazeta Insajderi iu kishte drejtuar me pyetje kompanisë “Doni Fruits” për të marrë një version për rastin, mirëpo të njëjtit s’ishin përgjigjur. Insajderi po ashtu kishte pyetur edhe deputetin Ejup Ahmeti për këtë rast, mirëpo i njëjti kishte kërkuar që pyetjet të drejtohen tek kompania.

Kompania me anë të një njoftimi në ‘Facebook’ kishte shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit, por pa dhënë më shumë detaje.

“Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve të të ndjerit. Doni Fruits qëndron pranë familjes Bislimi dhe do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme në këtë periudhë të rëndë“, u tha në njoftimin e kompanisë.

Qepët e rrezikshme të “Doni Fruits”

Gazeta Insajderi vitin që shkoi kishte raportuar se si kompania e deputetit Ejup Ahmeti ishte kapur duke tentuar të fusë në Kosovë qepë që nuk ishin të përshtatshme për konsum.

Në vendimin që kishte siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se kompania “Doni Fruits”, është detyruar të kthejë te kompania serbe mbi 23 tonë qepë, pasi mostrat e kontrollit fizik nuk përputheshin me kërkesat ligjore.

Sipas një vendimi të lëshuar nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar në pikën doganore “Merdarë”, u bë e ditur se produkti ishte paraparë të importohej nga kompania “DONI FRUITS” SHPK nga Ferizaj, përmes eksportuesit serb “Agro Comercial Tomic Doo”.

“Refuzohet importi i mallit: QEPË TË FRESKËTA në sasi prej 23.3 ton,” thuhet në vendimin zyrtar të datës 24 janar 2025. Vendimi është marrë pasi gjatë kontrollit janë evidentuar mospërputhje në dokumentacion dhe mosrespektim të kritereve të sigurisë sipas udhëzimit administrativ 06/2024 të Republikës së Kosovës”, thuhej në vendim.

Në vendim theksohej se “produktit nuk i bashkëngjiteshin të gjitha dokumentet dhe mostrat e kontrollit fizik nuk përputheshin me kërkesat ligjore”, duke e konsideruar të pasigurt për konsum.

Problemet e Ejup Ahmetit me shtetin shqiptar, akuzat për vjedhje fondesh

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural në Shqipëri kishte paditur kompaninë e Ejup Ahmetit, Top Fruits, ku ka kërkuar rikthimin e fondeve të keqpërdorura në vlerë prej 1,2 milion eurosh.

AZHBR i kërkon kompanisë më të mandhe të grumbullimit të fruta perimeve në vend të kthejë shumën e grantit të përfituar në vitin 2019, së bashku me penalitetet përkatëse.

Në tetor të vitit 2019 Top Fruits, e cila në atë kohë mbante emrin Doni Fruits, aplikoi për mbështetje nga grantet e Bashkimit Europian dhe ato të qeverisë shqiptare për ndërtimin e një pike grumbullimi për fruta dhe perime në zonën e Lushnjes.

Investimi për ngritjen e pikës së grumbullimit parashikohej në masën 2.3 milionë euro, nga të cilat afro 860 mijë euro u financuan nga granti i IPARD dhe rreth 290 mijë euro nga granti i buxhetit të shtetit.

Granti u miratua në tetor 2019, kur Doni Fruits zotërohej nga Burim dhe Ejup Ahmeti dhe hetimi i OLAF zbuloi se që të dy kanë abuzuar me paratë e përfituara falas nga BE dhe qeveria shqiptare.

Së bashku me kamatvonesat, shuma që i kërkohet të kthehet kësaj kompanie është mbi 1.5 milionë euro.

Ortakëria me Marin Gjonajn, bosin e ri të rrymës në Kosovë

Ish-deputetët e opozitës nga nomenklatura që u shpërbë para pak ditësh, e kanë akuzuar Ejup Ahmetin për ortakëri me Marin Gjonajn, pronarin e “ETMT Energy”, filiali i së cilës në Kosovë gjeneroi 16 milionë euro brenda një muaji.

Marin Gjonaj, për 1.3 milionë euro, kishte blerë 50% të aksioneve të kompanisë “Top Fruits Sh.P.K.” nga Burim Ahmeti, djali i xhaxhait të deputetit Ejup Ahmeti.

Transaksioni është njohur zyrtarisht nga shteti shqiptar më 23 dhjetor 2023, sipas dokumenteve. Në dokument vërtetohet transferimi i 50 për qind të aksioneve nga kushëriri i deputetit Ahmeti te biznesmeni Gjonaj.

Vetëm në 13 muajt e fundit, në xhirollogaritë e kompanisë kanë hyrë rreth 27 milionë euro. E themeluar në këtë dekadë dhe me vetëm një punëtor të regjistruar zyrtarisht, “ETMT Energy Sh.P.K.” është shndërruar në një nga aktorët kryesorë në tregun e tregtimit me rrymë.

Sipas një raporti zyrtar institucional, kompania “ETMT Energy Sh.P.K.” është zgjeruar me shpejtësi nga një biznes që realizonte qarkullim prej 90 euro në muaj në janar 2025, në një biznes që kryen qarkullim prej 16 milionë eurosh në janarin e vitit pasues. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark