Një hulumtim i Gazetës Insajderi, i bazuar në dokumente zyrtare të siguruara pas një beteje administrative, zbulon një skemë të dyshimtë të operimit me kafshë të gjalla nga kompania ‘Reisa 2022 SH.P.K’. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë një njoftim për vepra të rënda penale, duke përfshirë mashtrimin dhe rrezikimin e shëndetit publik. Kompania njihet zyrtarisht si “recidiviste” e dënuar edhe më parë për të njëjtat shkelje.
Insajderi kishte nisur kërkesën për qasje në dokumente publike që në janar të këtij viti.
Kërkesa specifike fokusohej në “vendimet për shfuqizimin e pezullimit të licencave, duke përfshirë arsyetimet ligjore dhe teknike mbi të cilat është bazuar ky vendim”.
Megjithatë, AUV-i refuzoi të ofronte transparencë të plotë fillimisht.
Dokumentet e siguruara, që hedhin dritë mbi shkeljet e operatorit ekonomik, u dërguan në adresë të redaksisë sonë vetëm pas intervenimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ku Insajderi kishte parashtruar ankesë për bllokim të informacionit.
Dosja ‘Reisa 2022’
Sipas dokumentit të siguruar e që figuron data 2 shkurt 2026, kompania ‘Reisa 2022 SH.P.K’ akuzohet se nuk u është përmbajtur dispozitave ligjore për importin dhe destinimin e kafshëve të gjalla.
Dosja e AUV-it e cilëson këtë subjekt si “recidivist të denuar për të njëjtat shkelje të kryera edhe më parë”.

Gjetjet e inspektoratit veterinar brenda kësaj dosjeje shpërfaqin një situatë alarmante të shpërfilljes totale të rendit dhe ligjit.
Gjatë kontrolleve është konstatuar se kompania ka injoruar sistematikisht autoritetet, duke lënë të pazbatuara plot tetë vendime zyrtare të lëshuara vetëm gjatë muajit tetor të vitit 2025.
Më e rëndë paraqitet situata me gjurmueshmërinë e kafshëve, ku rreth 89 krerë të importuar janë zhvendosur në destinacione krejtësisht të paautorizuara, duke humbur çdo kontroll mbi lëvizjen e tyre.
Ky kaos administrativ dyshohet se ka mbuluar aktivitetin e therjeve ilegale, pasi inspektorët nuk kanë gjetur asnjë evidencë për therjen e rregullt të kafshëve, ndërsa në raste të caktuara ato janë shitur direkt në treg pa asnjë kontroll veterinar.
I gjithë ky proces është përcjellë me një sfidim të hapur ndaj institucioneve, ku subjekti në fjalë nuk ka zbatuar asnjë nga urdhëresat e inspektoratit veterinar kufitar, duke thyer kështu çdo hallkë të sigurisë ushqimore.

Mbështetur mbi gjetjet e mbledhura, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konstatuar se ekziston një dyshim i arsyeshëm për konsumimin e tri veprave të rënda penale.
Operatori dyshohet për veprën e mashtrimi, rrezikimin e shëndetit publik, si dhe keqpërdorimin e pozitës ekonomike apo autorizimeve.
Përballë kësaj situate, AUV i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Prokurorisë Themelore në Prishtinë për të nisur menjëherë hetimet penale ndaj subjektit dhe personave përgjegjës. Në këtë shkresë kërkohet sekuestrimi i plotë i dokumentacionit zyrtar për importet dhe therjet, si dhe të bëhet një vlerësim i saktë i dëmit potencial fiskal që i është shkaktuar shtetit.
Për më tepër, institucioni ka kërkuar parashikimin e masave ndaluese ndaj operatorit të dyshuar, me qëllim që të parandalohet përsëritja e këtyre shkeljeve ose dëmtimi i provave gjatë procesit hetimor.

Lidhur me këto gjetje të rënda dhe kërkesën e AUV-it për hetim penal, Gazeta Insajderi ka kontaktuar kompaninë ‘Reisa 2022 SH.P.K’ me pronar Sheqir Humollin për të marrë një koment. Edhe pas pritjes së gjatë, zyrtarët e kompanisë nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e redaksisë.
Gazeta ka dërguar pyetje zyrtare edhe në adresë të Prokurorisë për të konfirmuar nëse janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore apo masa ndaluese ndaj subjektit në fjalë. Këta të fundit, në një përgjigje për gazetën, kanë deklaruar:
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me këtë çështje. Duke qenë se rasti ndodhet në fazë fillestare të hetimit, aktualisht nuk mund të ofrojmë detaje shtesë, pasi kjo mund të cenojë integritetin e procesit hetimor”.
Insajderi do të ndjekë në vazhdimësi hapat e mëtutjeshëm të këtij rasti, i cili lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore të qytetarëve.