Prokuroria Themelore në Prizren ka arritur një sukses në luftimin e krimit ekonomik dhe pronësor. Në kuadër të një procesi hetimor voluminoz, organet e drejtësisë kanë siguruar Urdhrin Ndalues Përfundimtar për ngrirjen e 42 pronave, vlera e të cilave në treg kap shifrën e rreth 3 milionë eurove.
Sipas njoftimit, hetimet janë përqendruar në një skemë të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve, legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit.
Qëllimi i këtyre veprimeve ishte përfitimi i paligjshëm pasuror dhe pengimi i kthimit të pronave te pronari i tyre i ligjshëm.
Prokuroria ka bërë të ditur se procedura penale është duke u zhvilluar ndaj tre personave fizikë. Për të siguruar prezencën e tyre në proces, dy prej të pandehurve janë duke u trajtuar nën masa të sigurisë.
“Prokuroria ka arritur të sigurojë ngrirjen e 42 pronave me vlerë rreth 3 milionë euro. Këto prona pritet që, pas përfundimit të procedurës penale, t’i kthehen të dëmtuarit,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në kuadër të hetimeve, prokuroria është duke zhvilluar procedurë penale ndaj tre personave fizikë, dy prej të cilëve të trajtuar nën masat e sigurisë për prezencën e të pandehurve në procedurë.
Rasti është duke vazhduar të hetohet dhe opinioni publik do të mbahet i informuar për zhvillimet e mëtejme./Insajderi