Mbi 433 mijë euro të mbledhura nga qytetarët në pikën kufitare në Merdare nuk u deponuan në bankë për rreth pesë muaj, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim. Edhe pse auditori i jashtëm kishte alarmuar për këtë shkelje, menaxhmenti i BKS-së nuk ndërmori veprime të menjëhershme. Paratë u kthyen vetëm pas muajsh dhe në mënyrë të pjesshme, çka shton dyshimet për përdorimin e tyre jashtë sistemit. Në vend të ndjekjes penale, rasti u mbyll me masa të lehta disiplinore ndaj përgjegjësve. Insajderi sjell detaje ekskluzive, dhe se kush ishin të përfshirë në këtë aferë qe po e hulumton për më shumë se një vit.
Nga: Visar Duriqi
Në zyrat e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), institucionit që menaxhon miliona euro të mbledhura nga taksat e detyrueshme të qytetarëve, fjalët “përgjegjësi” dhe “llogaridhënie” duket se kanë një kuptim tjetër nga ai ligjor. Një hulumtim i zgjeruar i Gazetës Insajderi, i nisur në janar 2025 e i mbështetur në dokumente ekskluzive, zbardh një skandal financiar ku mbi 433 mijë euro të mbledhura në pikën kufitare në Merdare, u mbajtën “peng” jashtë sistemit bankar për muaj të tërë.
Në qendër të këtij skandali është ish-koordinatori i Merdares, Liridon Makolli, dhe një zinxhir komandues i menaxhmentit që, në vend të ndjekjes penale, zgjodhi “amnisti” përmes një procesi disiplinor të mbyllur me dënime qesharake.
Alarmi i Auditorit dhe dijenia e ish-u.d. Drejtorit Shefik Gërbovci
Gjithçka nisi kur Auditori i Jashtëm, “Grant Thornton”, gjatë ekzaminimit të pasqyrave financiare, hasi në një anomali tronditëse. Sipas “Letrës së Menaxhmentit”, me datë 31 dhjetor 2023, në pikën e shitjes në Merdare u identifikua një gjendje prej saktësisht 433,893.40 euro të cilat nuk ishin depozituar në llogaritë bankare të BKS-së.
Dokumentet që ka siguruar Insajderi dëshmojnë se ish-u.d. Drejtori Ekzekutiv, Shefik Gërbovci, ishte plotësisht në dijeni për këtë “vrimë” financiare shumë kohë para se të ndërmerrte hapa disiplinorë. Fakti që mjetet u deponuan, si të tëra. vetëm më 2 maj 2024, tregon se Gërbovci dhe menaxhmenti i tij lejuan që afro gjysmë milioni euro të qëndronin në “duar private” për muaj të tërë edhe pasi auditori kishte dhënë alarmin.
Dokumentet zbardhin një detaj mjetet nuk u kthyen menjëherë, por u deponuan në bankë pjesë-pjesë. Sipas tabelës së deponimeve: Një pjesë prej 108,137.40 euro u deponua në fillim të vitit 2024. Pjesa dërrmuese prej 325,756.00 euro u deponua vetëm më 2 maj 2024, plot pesë muaj pasi auditori kishte dhënë alarmin.
Ky kthim i shkallëzuar ngre dyshimin se mjetet nuk ishin fizikisht në arkë, por ishin nxjerrë nga sistemi për qëllime të tjera, duke u dashur muaj të tërë që të “mblidheshin” sërish për t’u dorëzuar në bankë.
Dijenia e tij zyrtare vuloset në hyrje të Vendimit nr. 1142/24, ku thuhet shprehimisht:
“Në bazë të vendimit të datës 1123/24 me numër protokoli 31.05.2024 të Ud. Drejtorit Ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit z. Shefik Gërbovci është formuar komisioni disiplinor për shqyrtimin e shkeljeve eventuale… të konstatuara nga Auditori i Jashtëm, përkitazi me të punësuarin Liridon Makolli…”
Komisioni i “mëshirës” dhe roli i Faik Sylejmanit
Përballë një shkeljeje që në çdo institucion tjetër do të rezultonte me denoncim në Prokurori, Shefik Gërbovci zgjodhi rrugën e “pastrojës” së brendshme. Ai mandatoi një komision të përbërë nga Faik Sylejmani (Kryetar), Gëzonjeta Beqiri (Anëtare) dhe Astrit Veseli (Anëtar).
Ky komision, në vend që të kërkonte përgjegjësi penale, siç u bë në rastin që tashmë ish-drejtori Sami Mazreku, ish-Drejtori i Financave, Valon Berisha, dhe dhjetëra persona të tjerë përfunduan në paraburgim në janar 2026 të denoncuar në Prokurori nga vetë organet e BKS-së, për “avullimin” e përkohshëm të 433 mijë eurove, u mjaftua me një masë administrative. Në dokumentin nr. 1142/24, të datës 07.06.2024, thuhet:
“I shqiptohet masa disiplinore: Transferim i përhershëm në vend tjetër të punës… nga pozita ‘Kordinator i Pikës Kufitare në Merdare’ në pozitën e punës ‘Zyrtar për shitjen e policave’ në Prishtinë dhe vërejtje përfundimtare me shkrim”.
Ky komision kryesohej nga i pari i zyrës ligjore në BKS, Faik Sylejmani, i përfshirë edhe në një aferë tjetër të këtij institucioni, siç ka raportuar Insajderi javë më parë.
Heshtja e menaxhmentit: Ku ishin Valon Berisha dhe Rreze Tafilaj?
Ndonëse faji i adresohet Liridon Makollit, dokumentet zyrtare zbulojnë një dështim sistematik të mbikëqyrjes nga strukturat e larta, ku bëjnë pjesë Valon Berisha si i pari i financave dhe Rreze Tafilaj, drejtoresha e Makollit. Në procesverbalin nr. 1141/24, Komisioni Disiplinor bën një pranim tronditës që dëshmon se “zinxhiri i kontrollit” thjesht u fik:
“Gjatë shqiptimit të llojit të masës disiplinore… u vlerësua edhe fakti se këto probleme do të mund të mënjanohen dhe të identifikohen në kohë nëse procesi i mbikëqyrjes/kontrollit do të bëhej në baza të rregullta.”
Një nga pjesët me rëndësi e procesverbalit nr. 1141/24 është pranimi i hapur i këtij dështimi kolektiv. Komisioni i udhëhequr nga Faik Sylejmani shkruan:
“Gjatë shqiptimit të llojit të masës disiplinore… u vlerësua edhe fakti se këto probleme do të mund të mënjanohen dhe të identifikohen në kohë nëse procesi i mbikëqyrjes/kontrollit do të bëhej në baza të rregullta”.
Ky citat dëshmon se menaxhmenti jo vetëm që ishte në dijeni, por ngre dyshime se ka lejuar një vakum total kontrolli, duke krijuar kushte ideale që Liridon Makolli të operonte me paratë e popullit sikur të ishin pasuri private.
Komisioni konfirmoi se Makolli shkeli Nenin 11 të Rregullores për Shitjen e Policave, i cili obligon deponimin e mjeteve në baza ditore. Megjithatë, dokumentet disiplinore të vulosura nga menaxhmenti i Gërbovcit i ikin pyetjes kryesore: Pse paratë u mbajtën jashtë bankës?
Insajderi e ka pyetur BKS-në, duke e mbajtur të informuar edhe Bankën Qendore, se a e dinë ata se pë cka i ka përdorur këto para Liridon Makolli për pesë muaj sa nuk i deponoi në bazë, por deri tash nuk kemi marrë përgjigje.
Fakti që mjetet u kthyen vetëm pesë muaj pasi u zbuluan nga auditori, përforcon dyshimin se dikush ka pasur nevojë për kohë që t’i “grumbullojë” ato sërish, pasi mund të kenë qenë të investuara diku tjetër.
Gjatë komunikimeve për këtë rast, të cilin Insajderi ka filluar ta hulumtoi që nga janari i vitit 2025, menaxhmenti i BKS-së ka tentuar të bllokojë hulumtimin duke pretenduar se “Byroja Kosovare e Sigurimit nuk është institucion publik”. Ky arsyetim, i mbështetur nga Gërbovci, bie ndesh me ligjin që e detyron BKS-në t’i raportojë BQK-së për “ushtrimin e autorizimeve publike”.
Buxheti i BKS-së krijohet nga policat e detyrueshme. Kur Liridon Makolli mban 433 mijë euro në arkën e Merdares (apo ‘në xhep’), ai nuk po mban paratë e një kompanie private, por paratë e qytetarëve të Kosovës që detyrohen nga Policia dhe MPB-ja t’i paguajnë ato për të qarkulluar në rrugë.
Edhe pse BKS-ja tentoi ta bllokoi hulumtimin e Insajderit, gazeta ka siguruar dokumente që dëshmojnë se kjo aferë ndodhi, u fut nëpër procesverbale e dokumente, dhe se edhe BQK-ja, mund ta ketë ditur, por krejt kjo u kalua në heshtje: Dikush i mbajti mbi 400 mijë euro të paguara nga qytetarët për mbi 5 muaj, dhe krejt çka ndodhi ishte, detyrimi për ti kthyer, dhe ‘ ndëshkimi’ me një masë administrative.
Kush mban llogari për “vrimën” gjysmë-milionëshe?
Deri më sot, skandali është mbyllur me heshtje dhe një “shëtitje” të Makollit nga kufiri në qendër të Prishtinës. Shefik Gërbovci, i cili firmosi formimin e komisionit që “fali” Makollin, nuk ka dhënë llogari se pse lejoi këtë vonesë prej muajsh në deponim. Po ashtu, mbetet e paqartë përgjegjësia e Rreze Tafilajt dhe Valon Berishës në dështimin e mbikëqyrjes.
Rol me rëndësi në këtë aferë ka edhe Fiak Sylejmani, si kryetar komisioni, që shqiptoi masën e butë për Makollin, duke bërë vetëm trasnferim të tij dhe duke ia mundësuar kthimin e parave që munguan për pesë muaj.
Faik Sylejmani është në mesin e 16 zyrtarëve për të cilët Gazeta Insajderi ka raportuar ditë më parë që kishin marrë pagesa ekstra, të dyshimta, pos pagës.
Fillimisht, në fund të shkurtit 2026, BKS tentoi ta mbyllte rastin me 12 emra — kryesisht staf administrativ dhe punonjës të pikave kufitare:
Meriton Berisha, Doruntina Stublla, Lavdim Statovci, Lindita Cakaj, Saranda Sogojeva, Vanesa Gashi, Arta Kastrati, Ilir Prapashtica, Bashkim Vitija, Fatime Hamiti, Liridon Makolli dhe Afrim Kryeziu.
Këta u vendosën përballë një komisioni disiplinor, në një proces që sipas dokumenteve synonte ta paraqiste çështjen si shkelje individuale dhe jo si skemë të organizuar.
Megjithatë, paralelisht me këto zhvillime, Prokuroria Themelore në Prizren, e cila po heton rastin e dëmeve të dyshimta me vlerë mbi 1.3 milionë euro, ka nisur të trajtojë në mënyrë të pavarur edhe këtë aferë të re financiare.
Përpjekja e BKS-së për hetime të brendshme nuk zgjati shumë.
Vetëm një ditë pasi Insajderi kërkoi sqarime për konfliktin e interesit brenda komisionit disiplinor, më 31 mars 2026, ndodhi një zhvillim i pazakontë: Faik Sylejmani, Drejtor i Departamentit Ligjor — i caktuar fillimisht si “hetues” i rastit — u largua nga ky rol.
Arsyeja u bë më e qartë dy javë më vonë.
Me vendimin e 14 prillit 2026, lista e të dyshuarve u zgjerua në 16 persona, duke përfshirë edhe figura të menaxhmentit të lartë: Faik Sylejmani, Rezarta Tafilaj (Drejtoreshë e Departamentit të Sigurimit Kufitar), Edona Ahmeti (Drejtoreshë e Departamentit të Kartonit të Gjelbër dhe MOU) dhe Valmir Rexha (Mbikëqyrës i Dëmeve).
Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për Byrosë e Sigurimeve, përfshirë hetimet mbi skemën e dëmeve të fryra të aksidenteve që çuan në arrestime të shumta në fillim të vitit 2026. Në hulumtimet e tij, gazeta ka zbuluar parregullsi në menaxhimin financiar, mungesë kontrolli mbi shpenzimet dhe dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. Ky seri raportimesh ka ekspozuar një model të vazhdueshëm të dështimit të mbikëqyrjes institucionale brenda këtij institucioni.