Insajderi
Lajme

Përparim Rama thyen heshtjen: Do ta mbështes LDK-në më 7 qershor, pavarësisht koalicionit me PDK-në në Prishtinë

Insajderi
06 May 2026 - 09:50
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Përparim Rama thyen heshtjen: Do ta mbështes LDK-në më 7 qershor, pavarësisht koalicionit me PDK-në në Prishtinë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se do ta mbështesë Lidhjen Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, pavarësisht se e afroi Partinë Demokratike të Kosovës në bashkëqeverisje në kryeqytet, në një marrëveshje koalicioni për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës tha se “nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar” të kësaj partie.

Rama tha në një postim në Facebook se përgjegjësia, rendi, zhvillimi dhe dhërbimi ndaj qytetarit është filozofia e së djathtës.

“Ashtu siç e kam përkrahur pakusht Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e kaluara, do ta përkrah edhe në këto zgjedhje, me bindjen se demokracia, stabiliteti institucional dhe kultura shtetformuese duhet të mbrohen dhe të forcohen vazhdimisht. Përgjegjësi, rend, zhvillim dhe shërbim ndaj qytetarit, pa retorikë përçarëse por me vizion të qartë për të ardhmen, kjo është filozofia e së djathtës!”, shkroi ai.

Tha se “Kosova nuk ka nevojë për më shumë krizë e polarizim, por për institucione funksionale, bashkëpunim dhe vizion për zhvillim”.

“Sepse lidershipi i vërtetë nuk matet me aftësinë për të krijuar tension, por me aftësinë për të bashkuar njerëzit, për të ndërtuar stabilitet institucional, dhe për ta çuar vendin përpara”, shkroi ai.

Rama tha se “Kryeqyteti është shembull i bashkëpunimit dhe zhvillimit dhe ashtu do të mbetet”.

Emërimet e drejtorëve nga LDK-ja, ai tha se “janë bërë konfirm propozimeve të ardhura nga ‘Kolegjiumi; i përbërë nga pesë degët e Prishtinës, një mekanizëm i themeluar nga vetë LDK, që garanton përfaqësim, balancë dhe legjitimitet të brendshëm”.

“Duke vendosur qytetarin në qendër dhe duke qenë të vetëdijshëm se pushteti është shërbim, e jo instrument bllokimi, kemi finalizuar bashkëqeverisjen në Kryeqytet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Lidhjen për Prishtinën dhe së fundmi me Partinë Demokratike të Kosovës(PDK)”.

Për drejtorët e shkarkuar së fundmi, të cilëve Rama tha se u ka “përfunduar mandati”, shpreh “mirënjohje të veçantë” për “profesionalizmin dhe kontributin e tyre të çmuar në shërbim të qytetit”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark