Insajderi
Lajme

Rasti i mashtrimit kibernetik, Gjykata në Ferizaj merr këtë vendim për të arrestuarit

Insajderi
08 May 2026 - 15:25
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Rasti i mashtrimit kibernetik, Gjykata në Ferizaj merr këtë vendim për të arrestuarit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve Valdrin Neziri, Artan Limani dhe Redon Jahija, të cilët dyshohen se në bashkëpunim organizuan një skemë komplekse mashtrimi me kriptovaluta, duke u marrë qytetarëve 12 mijë euro përmes një dollapi të modifikuar.

Pas arrestimit të fundit të Valdrin Nezirit, i cili kishte qëndruar për një kohë në arrati, Gjykata ka kompletuar masat e sigurisë për të tre personat e përfshirë në këtë vepër penale.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Alba Makolli, ka vlerësuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar për veprën penale “Mashtrimi”.

Në aktvendimin e siguruar nga Insajderi, Gjykata ka zbërthyer metodën e pazakontë të vjedhjes që ky grup dyshohet se ka përdorur.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Neziri bashkë me të pandehurit Artan Limani dhe Redon Jahija (të cilëve u është caktuar paraburgimi më parë), kishin marrë një lokal me qira në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj. Duke përdorur emra të rremë si “Arbër” dhe “Burim”, ata i kishin vënë në lajthim tre të dëmtuar (E.F., A.F., dhe Rr.K.), duke u premtuar shitjen e kriptovalutave të llojit USDT.

“Për realizimin e kësaj skeme, të hollat prej 12,000.00 Euro i fusin në një çantë me ngjyrë të gjelbër dhe i vendosin në një dollap brenda lokalit. Megjithatë, dollapi ishte i modifikuar me një vrimë nga pjesa e pasme, përmes së cilës të dyshuarit i kanë marrë paratë pa dijeninë e viktimave dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në dosje, përcjell Insajderi.

Hetimet kanë zbuluar se ky grup nuk u ndal me aq.

Ata tentuan të përsërisnin të njëjtën skemë në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik, por u kapën në flagrancë nga policia. Gjatë asaj ndërhyrjeje, Valdrin Neziri kishte arritur të arratisej, duke qëndruar në Maqedoni të Veriut për rreth një javë para se të arrestohej.

Dosja gjithashtu përmend se pas publikimit të rastit në media, janë paraqitur edhe viktima të tjera.

Një qytetar ka deklaruar se në gusht të vitit 2024, përmes skemës së quajtur “Agim Prodani”, i ishin marrë 2,000 euro në rrugën “18 Qershor” në Ferizaj. Po ashtu, në seancë është përmendur edhe një person tjetër, A.B, si i përfshirë i mundshëm në këto aktivitete.

Në anën tjetër, avokati mbrojtës Heroit Xhemajli ka kundërshtuar paraburgimin, duke kërkuar masa më të buta. Ai ka pretenduar se klienti i tij është vetëdorëzuar dhe se nuk ka pasur dijeni për mashtrimin.

Gjykata, në arsyetimin e saj për caktimin e paraburgimit, ka potencuar se i pandehuri është recidivist.

Ai figuron i dënuar më parë për vepra të rënda penale si: Kanosje, Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, si dhe Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve.

Si rrjedhojë ndaj të treve është shqiptuar masa e paraburgimit prej 1 muaj.

Insajderi do dt’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark