Në seancën dëgjimore të mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, mbrojtja e të pandehurit Valdrin Neziri ka kundërshtuar ashpër kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.
Avokati mbrojtës, Heroit Xhemajli, ka thënë për Insajderin se klienti i tij nuk ka pasur dijeni për mashtrimin dhe është vetëdorëzuar vullnetarisht në organet e rendit.
Ai ka kërkuar nga Gjykata që të refuzojë kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, duke e cilësuar atë si masën më të rëndë dhe të panevojshme për rastin konkret.
Më tej, avokati ka argumentuar se nuk ekziston rreziku i ikjes, pasi klienti i tij ka vendbanim të përhershëm në Kosovë dhe është mbajtës i një familjeje me tre fëmijë.
“I mbrojturi im nuk ka pasur dijeni lidhur me këtë mashtrim… ai është vetëdorëzuar në organet e drejtësisë dhe premton se është i gatshëm t’u përgjigjet të gjitha ftesave”, ka deklaruar avokati Xhemajli para gjyqtares, duke propozuar masa më të buta, si paraqitja në stacionin policor teksa shtoi se nuk mund të japë detaje më shumë pasi që rasti është ende nën hetime.
Gjykata pritet të marrë vendimin lidhur me masën e sigurisë brenda ditës, duke peshuar pretendimet e Prokurorisë për mashtrim të organizuar dhe argumentet e mbrojtjes për pafajësi dhe bashkëpunim me drejtësinë.
/Insajderi