Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj një fotografie të publikuar nga zyra e ministrit në detyrë, Dimal Basha.
Në atë foto shihej deklarata e pavarësisë që ishte vendosur pas një divani.

OVL-UÇK e ka cilësuar atë si përdhosje të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës duke akuzuar i Bashën se me veprimet e tij ka nëpërkëmbur simbolin e shtetësisë së Kosovës.
“Fotografia nga zyra e Dimal Bashës është rrëfim politik. Deklarata e Pavarësisë, e vulosur me sakrificë, gjak, burgime, mërgim dhe luftë, përdhoset nga ministri i Qeverisë Kurti. Basha nuk ka bërë thjesht një gabim protokollar. Basha nuk ka bërë thjesht një gabim protokollar. Ka shpërfaqur një vazhdimësi. Një njeri që dikur u vinte firmën shkrimeve që shpifnin kundër UÇK-së duke e quajtur kriminale, nuk mund të fshihet sot pas pakujdesisë kur simboli i shtetësisë së Kosovës nëpërkëmbet nën autoritetin e tij”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK ka akuzuar edhe kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se kanë “normalizuar armiqësinë ndaj themeleve të Republikës”.
“Arroganca e tyre ndaj Luftës Çlirimtare është kthyer në arrogancë ndaj vetë shtetit”, thuhet më tej.
Aty i është bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të nisë hetime.
“Basha duhet të sqarojë se në llogari të kujt i përdhos dokumentet me vlerë të posaçme shtetërore, e Kurti duhet të përgjigjet për kulturën antishtetërore që ka instaluar qëllimisht në qeveri”, përfundon reagimi i OVL-UÇK-së.