Insajderi
Hulumtime/Analiza

Keqpërdorimi me shpronësime që shkaktoi dëm 220 mijë euro, cilat janë lidhjet biznesore të të dyshuarve?

Insajderi
13 May 2026 - 15:26
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Keqpërdorimi me shpronësime që shkaktoi dëm 220 mijë euro, cilat janë lidhjet biznesore të të dyshuarve?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Vegim Gashi dhe Nexhat Raifi ranë në pranga përgjatë një operacioni të Krimeve Ekonomike në koordinim me Prokurorinë Speciale. Ndaj tyre dhe të tjerëve u parashtrua kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, e cila më pas u refuzua nga gjykata duke u caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Dosja e Prokurorisë, të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, pretendon se Gashi, i cili ishte kandidat për kryetar në Komunën e Prishtinës nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), si dhe bashkëpunëtori i tij i afërt biznesmen Nexhat Raifi, përkundër faktit se ishin kompensuar nga Qeveria më 2014-ën në emër të shpronësimit të pronave të tyre më 2014-ën, pas rreth tetë vitesh dyshohet se parashtruan propozim ankesa të pas afatshme. Me këtë, ata dyshohen për veprën penale dhënie ryshfeti.

Siç thotë dosja, në bazë të një blloku të sekuestruar përgjatë operacionit nga i pandehuri Goran Llaziq, emrat e dy të pandehurve janë shënuar në bllok dhe janë markuar me shenjën 50 për qind. Sipas Prokurorisë, në bazë të provave dhe dëshmive të tjera rezulton se kjo ishte përqindja e mjeteve që Gashi e Raifi kishin për obligim t’ia kthenin Llaziqit dhe Mirlinda Bllata Dibranit sapo t’i merrnin paratë e shpronësimit.

“Nga analiza e llogarive bankare të pandehurës Mirlinda Bllata Dibrani rezulton se e njëjta sapo pranon mjetet nga Thesari në emër të kompenzimit për të pandehurit Vegim Gashi dhe Nexhat Raifi, përmes dy transfereve datë 19.12.2024 dhe 21.12.2024, ndërsa tek i pandehuri Nexhat Raifi 19.12.2024 dhe 23.12.2024, bën transferimin e mjeteve tek të njëjtit, kjo metodë kjo e aplikuar nga e njëjta nuk ka qenë rastësi, por sikurse rezulton nga provat dhe dëshmitë tjera, ka qenë që të sigurohen se do të merrnin 50% të parave nga shuma e përgjithshme në cash dhe vetëm pasi kishin pranuar 50% në cash, atëherë palëve ua kishin lëshuar 50% tjetër të pagesës“, thuhet në dosje.

Po ashtu nga shkresat e lëndëve pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë dega – Graqanicë, vërtetohet se ekzistojnë dallime në vlerësim të pronës në pronësi të të pandehurit Vegim Gashi nga Divizioni për Vlerësimin e Pronave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe vlerësimit të pandehurit Hajrullah Muli në shumë prej 287,560.00 Euro, ndërsa në raportin me vlerësimin pandehurit Shaban Syla në shumën prej 202,680.00 Euro.

“Nga provat e lartcekura, vërtetohet pa asnjë mëdyshje dyshimi i bazuar se të pandehurit, me veprimet e tyre i kanë kryer veprat penale të përshkruar si në dispozitiv të kësaj kërkese dhe se i kanë shkaktuar dëm jashtëzakonisht të lartë buxhetit të Republikës së Kosovës, po ashtu gjykata duhet ta ketë parasysh se këto veprime të pandehurve nuk janë të vetmet raste, ata në mënyrë të ngjashme kishin vepruar edhe në të kaluarën, ku si rrjedhojë të njëjtit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të vendit në një vlerë që tejkalon milionëshin, e që është duke u punuar edhe në atë drejtim për ti zbardhur të gjitha rastet“, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Roli i personave të tjerë të përfshirë në dallaverin me shpronësim

Siç thuhet në dosjen e prokurorisë, Nexhmije Karaqi në cilësinë e avokates së Avokaturës Shtetërore, me qëllim të përfitimit financiar për vete dhe për Fadil Ismajlin, ish-ministrin e Tregtisë dhe ish-drejtorin e KOSTT’it, kishte shqyrtuar një ankesë të pasafatshme dhe kishte lidhur ujdi gjyqësore me të pandehurën Mirlinda Bllata Dibranin, duke i hapur rrugë kompensimit nga Qeveria në shumën prej 220 mijë eurove për çështje të shpronësimit.

Fadil Ismajli, ish-ministër

Sipas dosjes, Karaqi përmes të pandehurit Avdi Pireva mori 11 mijë euro, apo pesë për qind të vlerës së kompensuar. Avokatja e Avokaturës Shtetërore dyshohet me këtë rast për marrje ryshfeti.

Çdoherë sipas dosjes, të pandehurit Shaban Syla, Hajrullah Muli dhe Halil Mustafa, në cilësinë e ekspertëve gjyqësorë për vlerësimin e pronës, gjatë përpilimit të ekspertizave për pronat e paluajtshme kanë prezantuar vlerësime jo-ligjore, të përdorura në ujdinë gjyqësore të lartcekur. Që të tre dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndërkaq Avdi Pireva, profesor dhe ish-kandidat për deputet nga radhët e LDK’së, dyshohet se pranoi nga i pandehuri Bedri Dibrani shumën prej 11 mijë eurove, me qëlliim që t’ia dorëzojë Nexhmije Karaçit si shpërblim për arritjen dhe nënshkrimin e ujdisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Graçanicë, në mes të Qeverisë së Kosovës dhe propozuesit Fadil Ismajli.

Avdi Pireva, ish-kandidat për deputet i LDK’së

Përmes këtyre veprimeve, të pandehurit dyshohet se në emër të shpronësimit i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit 220 mijë euro.

Lidhjet biznesore të të arrestuarve

Vegim Gashi dhe Nexhat Raifi që të dy kanë në pronësi biznese. Gashi është pronar me aksione të plota në kompaninë e Komtel Project Engineering, e cila merr pjesë në tenderë nëpër institucione të ndryshme. Ndërkaq Raifi është në pronësi të Jon Group, e cila për aktivitet kryesor ka tregtimin me shumicë e makinerive bujqësore, pajisjeve dhe pjesëve furnizuese.

Vegim Gashi, ish-kandidat për kryetar të Prishtinës

Gashi kishte kandiduar më 2009-ën si kandidat i përbashkët i AKR’së dhe LDD’së për kryetar të Prishtinës.

Ndonëse tash figuron me aksione të plota në “Komtel Project Engineering”, më herët kjo kompani ishte në pronësi të Fadil Ismajlit, të pandehurit tjetër në rastin e mashtrimit me shpronësim. Ai ishte pronar gjatë vitit 2006-2008, para se të bëhej drejtor ekzekutiv i KOSTT’it dhe para se të bëhej ministër.

Derisa po mbaheshin seanca për Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, Armend Muja më 2024-ën si deputet i VV’së kishte qenë i ashpër me ish-shefin e ndërmarrjes publike të transmisionit të energjisë- KOSST, Fadil Ismajli.

“Zotëri Ismajli ju keni qenë pronar i kompanisë Komtel, po flas për vitin 2006-2008. A keni fituar tender edhe pse është bartë prona tek shoku i juaj Vegim Gashi. Kjo kompani a ka fituar tenderë për vitin 2006-2008 në KOSTT”,  kishte pyetur e ngrit akuza publike Muja i Vetëvendosjes.

Gazeta Insajderi më 2024-ën kishte raportuar se si kompania tashmë në pronësi të Gashit kishte fituar tender një-burimor nga KOSTT’i.

Më 1 gusht 2024 KOSTT-i ia kishte dhënë firmës “Komtel Project Engineering SH.P.K” 124 mijë euro.

Tenderi ishte në formë të negociuar, apo siç njihen në publik: tender njëburimor, formë e kritikuar si e dyshimtë e korruptive.

Gazeta Insajderi merr vesh, në anën tjetër, se Nexhat Raifi pranë policisë është prezantuar si drejtor në “Komtel Project Engineering”.

Raifi po ashtu ka publikuar në të kaluarën fotografi me Fadil Ismajlin, duke dëshmuar afërsi me të.

Fadil Ismajli dhe Nexhat Raifi

Ndaj të pandehurve është caktuar masa e arrestit shtëpiak deri më 5 qershor.

Gjykata ka sqaruar se mund të caktohet masa e paraburgimit nëse të pandehurit largohen nga vendbanimi pa leje të gjykatës. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark