Një tjetër rast që hedh dritë mbi mënyrën se si menaxhohen fondet brenda BKS-së, ku mijëra euro përfundojnë në llogari private pa bazë të qartë ligjore. Dokumentet tregojnë për një praktikë që i ngjan përdorimit të parasë publike si kredi personale, pa interes dhe pa mbikëqyrje efektive. Rasti i fundit shton dyshimet për një model të përsëritur abuzimi brenda institucionit.
Nga: Visar Duriqi
Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) po përballet me një valë të re dyshimesh për keqpërdorime serioze financiare. Institucioni që ka për detyrë garantimin e sigurisë dhe dëmshpërblimin e qytetarëve, dyshohet se është shfrytëzuar nga zyrtarë të lartë si burim “kredish” pa interes.
Pas hulumtimeve për shefin ligjor, Faik Sylejmani zhvillimet e fundit implikojnë edhe Valmir Rexhën, Drejtorin e Departamentit të Dëmeve, i cili për 367 ditë mbajti 5 mijë euro të institucionit në llogarinë e tij private.
Një vit me 5 mijë euro të Byrosë në llogari private
Sipas dokumentacionit bankar që posedon Insajderi, më 17 qershor 2022, nga llogaria e BKS-së është realizuar një transfer në vlerë prej 5,000.00 eurosh në llogarinë personale të Valmir Rexhës.
Këto mjete nuk rezultojnë të kenë qenë as dëmshpërblim për ndonjë palë e as shpenzim i rregullt institucional.
Dokumenti dëshmon se kthimi i këtyre mjeteve në arkën e Byrosë është bërë vetëm më 19 qershor 2023. Në pasqyrën bankare, transaksioni është regjistruar me përshkrimin: “TRANSFER VALMIR REXHA… Kthim avansi BYROJA KOSOVARE E SIGURIMIT”.
Megjithëse në sistem është klasifikuar si “avans”, menaxhmenti ka konstatuar se nuk ekziston asnjë dokument që e mbështet apo e legjitimon këtë paradhënie.
“Nuk kemi dëshmi”: Alarmi i Auditorit të Brendshëm
Rasti ka marrë dimension zyrtar pasi Auditori i Brendshëm ka analizuar procesin e shpenzimeve, ku transferi i Rexhës është identifikuar si një pagesë pa asnjë mbulesë dokumentare. Në shkresën zyrtare të datës 18 shkurt 2026 BKS i kërkon sqarime Drejtorit të Dëmeve, Valmir Rexha, duke evidentuar mungesën e arsyetimit për marrjen e mjeteve.
Në dokument thuhet fjala për fjalë se “…pas pranimit të raportit të Auditorit të Brendshëm për Procesin e Shpenzimeve dhe verifikimit të dokumentacionit përcjellës, nuk kemi arritur të sigurojmë dëshmi apo dokumentacion të qartë që konfirmon arsyeshmërinë e këtyre mjeteve që i keni kthyer”.
Po ashtu, në këtë kërkesë theksohet se transferi është kryer pa asnjë aprovim paraprak që do ta lejonte kalimin e mjeteve nga llogaria e BKS-së në atë të Rexhës.
Menaxhmenti i BKS-së kishte kërkuar një verifikim formal të këtij rasti, duke i caktuar Rexhës një afat të prerë për të dhënë sqarime me shkrim, duke i thënë që “…udhëzoheni që kësaj kërkese t’i përgjigjeni me shkrim deri me datën 23 Shkurt 2026.”.
Megjithatë, burime të Insajderit bëjnë me dije se Valmir Rexha nuk ka dhënë asnjë sqarim deri në afatin e caktuar nga menaxhmenti. Kjo mungesë llogaridhënieje brenda institucionit vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar Rexhë për të marrë një version të tij lidhur me natyrën e këtij transferi dhe për të kuptuar nëse ai është intervistuar nga Policia apo Prokuroria për këtë rast. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Drejtori i Dëmeve nuk ka dhënë sqarime as për redaksinë e Insajderit.
Ky rast ngre dyshime serioze mbi integritetin e kontrollit të brendshëm në BKS, ku zyrtari që administron miliona euro të destinuara për palët e dëmtuara, dyshohet se ka shfrytëzuar pozitën e tij për të realizuar transfere private pa asnjë bazë ligjore.
Insajderi javë më parë ka publikuar edhe listën e 16 personave që kanë pasur trasnfere të tilla, të dyshimta, përfshirë menaxhmentin e lartë aktual në BKS.
Fillimisht, në fund të shkurtit 2026, BKS tentoi ta mbyllte rastin me 12 emra — kryesisht staf administrativ dhe punonjës të pikave kufitare:
Meriton Berisha, Doruntina Stublla, Lavdim Statovci, Lindita Cakaj, Saranda Sogojeva, Vanesa Gashi, Arta Kastrati, Ilir Prapashtica, Bashkim Vitija, Fatime Hamiti, Liridon Makolli dhe Afrim Kryeziu.
Këta u vendosën përballë një komisioni disiplinor, në një proces që sipas dokumenteve synonte ta paraqiste çështjen si shkelje individuale dhe jo si skemë të organizuar.
Megjithatë, paralelisht me këto zhvillime, Prokuroria Themelore në Prizren, e cila po heton rastin e dëmeve të dyshimta me vlerë mbi 1.3 milionë euro, ka nisur të trajtojë në mënyrë të pavarur edhe këtë aferë të re financiare.
Përpjekja e BKS-së për hetime të brendshme nuk zgjati shumë.
Vetëm një ditë pasi Insajderi kërkoi sqarime për konfliktin e interesit brenda komisionit disiplinor, më 31 mars 2026, ndodhi një zhvillim i pazakontë: Faik Sylejmani, Drejtor i Departamentit Ligjor — i caktuar fillimisht si “hetues” i rastit — u largua nga ky rol.
Arsyeja u bë më e qartë dy javë më vonë.
Me vendimin e 14 prillit 2026, lista e të dyshuarve u zgjerua në 16 persona, duke përfshirë edhe figura të menaxhmentit të lartë: Faik Sylejmani, Rezarta Tafilaj (Drejtoreshë e Departamentit të Sigurimit Kufitar), Edona Ahmeti (Drejtoreshë e Departamentit të Kartonit të Gjelbër dhe MOU) dhe Valmir Rexha (Drejtor i Dëmeve).
Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), përfshirë hetimet mbi skemën e dëmeve të fryra të aksidenteve që çuan në arrestime të shumta në fillim të vitit 2026. Në hulumtimet e tij, gazeta ka zbuluar parregullsi në menaxhimin financiar, mungesë kontrolli mbi shpenzimet dhe dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. Ky seri raportimesh ka ekspozuar një model të vazhdueshëm të dështimit të mbikëqyrjes institucionale brenda këtij institucioni.