FC Barcelona raportohet se është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje të re me Andreas Christensen, i cili mbetet pa kontratë këtë verë. Mbrojtësi danez është rikthyer në stërvitje të mërkurën, pasi pjesën më të madhe të sezonit e ka kaluar i dëmtuar.
Christensen, 30 vjeç, ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij, edhe pse nuk ka shumë oferta konkrete në tavolinë. Sipas raportimeve, ai dëshiron të vazhdojë te Barcelona, ndonëse kohët e fundit kishte refuzuar një ofertë rinovimi për shkak të pagës së ulët të propozuar nga klubi.
Megjithatë, sipas “MD”, palët janë shumë pranë një akordi, edhe pse marrëveshja ende nuk është finalizuar. Kontrata e re pritet të jetë dyvjeçare dhe lojtari po i jep prioritet qëndrimit në Barcelonë, pavarësisht ofertave financiarisht më të favorshme nga klube të tjera. Një nga arsyet kryesore është fakti se familja e tij tashmë është sistemuar në qytetin katalanas dhe ai nuk dëshiron të largohet.
Nga ana tjetër, Barcelona po e konsideron rinovimin e tij si një siguri shtesë për repartin defensiv. Megjithatë, nëse klubi arrin të transferojë një përforcim të madh në mbrojtje, nuk përjashtohet mundësia e shitjes së Christensenit, edhe pse për një shumë relativisht të ulët.
Katalanasit po monitorojnë gjithashtu situatën e Alessandro Bastoni të Inter Milan, si një objektiv për të përforcuar prapavijën, por ende mbetet e paqartë nëse klubi do të ketë hapësirën e nevojshme financiare për ta realizuar transferimin.
Gjatë këtij sezoni, Christensen ka zhvilluar vetëm 17 ndeshje, duke realizuar një gol. Në total ai ka regjistruar vetëm 515 minuta në fushë dhe vetëm katër takime i ka nisur si titullar. Trajneri Hansi Flick ka vlerësuar profesionalizmin e mbrojtësit danez, por dëmtimet e shpeshta kanë bërë që kontributi i tij në fushë të jetë i kufizuar gjatë këtij sezoni.