Insajderi
Lajme

LVV në Gjakovë reagon për rastin e drejtorit të dyshuar për pedofili: Militant i AAK-së me lidhje të forta me Ardian Gjinin, pse nuk po shkarkohet

Insajderi
20 May 2026 - 15:19
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
LVV në Gjakovë reagon për rastin e drejtorit të dyshuar për pedofili: Militant i AAK-së me lidhje të forta me Ardian Gjinin, pse nuk po shkarkohet
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë ka reaguar ashpër pas publikimit të rastit nga “Piranjat”, ku drejtori i Shkollës Fillore në Damjan të Gjakovës, Nazmi Pnishi, dyshohet se u përfshi në akte të ngacmimit seksual dhe tentim abuzimi me një të mitur.

Përmes një komunikate zyrtare për media, LVV e ka cilësuar ngjarjen si “të turpshme” dhe ka hedhur akuza të rënda drejt udhëheqjes komunale të Gjakovës, duke pretenduar se drejtori në fjalë ka mbrojtje politike nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetari Ardian Gjini.

Në reagimin e saj, Vetëvendosje thotë se Nazmi Pnishi nuk është thjesht një zyrtar shkolle, por një person me ndikim dhe lidhje të ngushta klienteliste me pushtetin lokal.

“Drejtori Pnishi nuk është thjesht drejtor shkolle i cili merrte edhe dekorata si drejtori i muajit nga DKA-Gjakovë, por është person me lidhje të afërta shoqërore me zyrtarë të Komunës së Gjakovës dhe kryetarin Gjini, militant dhe person me lidhje të forta brenda AAK-së, lidhje të cilat i pretendon edhe vet në pamjet e publikuara”, thuhet në komunikatë.

LVV ka ngritur dyshime se nëse rasti nuk do të bëhej publik nga emisioni investigativ, strukturat komunale do të tentonin ta mbulonin atë për shkak të interesave partiake, duke pasur parasysh se Komuna ende nuk ka shpallur një vendim zyrtar për shkarkimin e tij.

“Fakti që edhe në këto momente akoma nuk kemi vendim publik për shkarkimin e tij nga Komuna e Gjakovës, tregon se po të mos ndodhte publikimi i mbrëmshëm, aktet e këtij personi do mbuloheshin, vetëm e vetëm që të mos preken interesat e brendshme klienteliste e partiake.”

Vetëvendosje ka deklaruar se kjo ngjarje shpërfaq “degradimin moral dhe profesional” nën qeverisjen e Ardian Gjinit dhe ka kërkuar masa të menjëhershme ligjore.

“Shkarkimi dhe dënimi i këtij personi janë më e pakta që mund të ndodhë!”, thuhet në reagim.

Kujtojmë që për këtë rast tashmë është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë, e cila ka konfirmuar se ka nisur hetimet e nevojshme lidhur me dyshimet për ngacmim seksual ndaj të miturës./Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark