Telekomi i Kosoves në prag të zgjedhjeve ka filluar shpalljen e konkurseve publike, pa shpallur fare konkurse të brendshme për konkurse të tilla.
Gazeta Insajderi kishte raportuar më herët për numër të madh të juristëve në këtë ndërmarrje publike. Insajderi kishte raportuar më 2024-ën se në këtë ndërmarrje janë 46 juristë, ku 7 prej tyre kanë edhe provimin e Jurisprudencës.
Në atë periudhë, Telekomi shpallte tender për “Përfaqësime Juridike dhe Konsulencë Juridike. Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 21 mijë e 600 euro.
Megjithë kuadrot juridike dhe tenderët, Telekomi në prag zgjedhjesh ka vendosur të shpallë sërish konkurs, pa shpallur fare konkurse të brendshme për pozita të tilla. Tash ndërmarrja po kërkon dy përfaqësues ligjorë.

Përveç pozitave të tilla, ka shpallur konkurse edhe për pozita të tjera, si teknik i ngrohjes, udhëheqës i ekipit të instalimeve të ujit dhe vozitës.
Insajderi i është drejtuar me pyetje Telekomit të Kosovës për ta pyetur nëse ka pasur konkurse të brendshme paraprake, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.
Insajderi kishte raportuar se si kryeshefja e Telekomit, Burbuqe Hana i kishte dhënë kontratë pune pa konkurs, në cilësinë e këshilltares ligjore, shoqes së saj Sanije Sahiti, si dhe për numrin e madh të juristëve brenda Telekomit.
Sahiti kishte figuruar si donatore e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 2025-ës. /Insajderi.org/