Insajderi
Lajme

Arrestohen dy zyrtarë bankarë në Prishtinë, e ngarkuan klienten me 25 mijë euro kredi pa dijeninë e saj

Insajderi
21 May 2026 - 17:49
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Arrestohen dy zyrtarë bankarë në Prishtinë, e ngarkuan klienten me 25 mijë euro kredi pa dijeninë e saj
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës ka arrestuar dy zyrtarë të një institucioni bankar në Prishtinë, nën dyshimin e bazuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, dy të dyshuarit – njëri në cilësinë e menaxherit bankar dhe tjetri si analist financiar kanë bashkëpunuar për të ngarkuar një qytetare me një kredi fiktive prej 25 mijë eurosh, tërësisht pa dijeninë apo autorizimin e saj.

Hetimet e para tregojnë se menaxheri i bankës ka tejkaluar autorizimet e tij ligjore duke urdhëruar verbalisht analistin bankar që të bënte transferimin e mjeteve. Analisti ka ekzekutuar këtë urdhër kundërligjor, duke tërhequr 24,000 euro nga llogaria e të dëmtuarës dhe duke i ndarë ato në dy transaksione nga 12,000 euro për llogari të dy bizneseve të ndryshme.

Për ta bërë situatën edhe më të rëndë, pasi viktima u ngarkua me këtë kredi fiktive, rasti kaloi në procedurë përmbarimore. Më pas, vetë banka e kishte kallëzuar penalisht të dëmtuarën në Prokurori, ndonëse ky subjekt nuk kishte asnjë provë që vërtetonte se ajo kishte kërkuar apo pranuar mjetet e kësaj kredie.

“Të dyshuarit e lartcekur, me veprimet e tyre të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm duke e ngarkuar me kredi fiktive, përfshirë edhe përmbarimin pa dijeninë e saj,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve të tyre mbrojtës dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark