Inspektorati i Komunës së Prishtinës i ka shqiptuar një gjobë prej 500 eurosh një qytetari, i cili është kapur në flagrancë duke hedhur mbeturina në mënyrë të paligjshme në një hapësirë publike në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti është identifikuar gjatë orëve të vona të natës, në kuadër të kontrolleve të rregullta që po realizohen nga ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Inspektoratit.
Nga Komuna e Prishtinës është bërë e ditur se aksionet për menaxhimin e mbeturinave vëllimore dhe ruajtjen e pastërtisë në hapësirat publike po vazhdojnë çdo ditë në lagje të ndryshme të qytetit.
Megjithatë, pavarësisht angazhimeve të vazhdueshme të institucioneve, autoritetet thonë se ende ka qytetarë që hedhin mbeturina në mënyrë të paligjshme, duke dëmtuar mjedisin dhe hapësirat publike.
Komuna ka paralajmëruar se kontrollet dhe inspektimet do të intensifikohen edhe në ditët në vijim, ndërsa të gjithë shkelësit do të përballen me masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.