Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër tre personave me inicialet A.L., R.J. dhe V.N., nën dyshimin e bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit dyshohet se kanë përdorur skema të mirëmenduara mashtrimi, duke u premtuar viktimave shitjen e kriptovalutave të llojit USDT, por në fakt duke u marrë shuma të mëdha parash përmes metodave të pazakonta, përfshirë edhe modifikimin e mobilieve në lokale me qira.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 17 Prill 2026, në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, të pandehurit kishin marrë një lokal me qira për të realizuar planin e tyre. Ata kishin caktuar një takim me të dëmtuarit E.F., A.F. dhe Rr.K., duke u paraqitur rrejshëm me emra të tjerë dhe duke pretenduar se do t’u transferonin kriptovaluta USDT në portofolin e tyre digjital (wallet).
Pasi arrijnë t’u marrin të dëmtuarve shumën prej 12,000.00 Euro, të pandehurit i fusin paratë në një çantë të gjelbër dhe i vendosin në një dollap brenda lokalit. Megjithatë, ata kishin hapur parapritmas një vrimë në pjesën e pasme të dollapit, nga ku i morën paratë pa u vërejtur dhe u larguan në drejtim të panjohur.
Pas hetimeve operative, u zbulua se të njëjtit persona, duke përdorur të njëjtën skemë, kishin organizuar një transaksion fiktiv në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik. Edhe aty kishin siguruar një lokal me qira për t’u takuar me persona të interesuar, të cilëve u kishin ofruar transferimin e USDT-ve në vlerë prej 50,000.00 Euro.
Aktakuza ngarkon gjithashtu dy nga të pandehurit, A.L. dhe R.J., për një rast të ndodhur më 18 Gusht 2024 në rrugën “Agim Prodani” në Ferizaj.
Ata kishin kontaktuar të dëmtuarin G.A. përmes platformave Telegram, Viber dhe WhatsApp, duke i premtuar shitje të kriptovalutave. Pasi u takuan në rrugë, ata arritën t’i marrin viktimës 2,000.00 Euro në kesh dhe, përderisa ai priste transferimin e kriptovalutave në portofolin e tij, të pandehurit u larguan me vrap.
Për të gjitha këto veprime, tre të pandehurit akuzohen për veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës Kompetente në Ferizaj që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.