Insajderi
Lajme

Telekomi për konkurset e shpeshta për juristë: Kemi numër të madh të lëndëve gjyqësore, në Departamentin Ligjor ka pasur lëvizje stafi

Insajderi
25 May 2026 - 10:15
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Telekomi për konkurset e shpeshta për juristë: Kemi numër të madh të lëndëve gjyqësore, në Departamentin Ligjor ka pasur lëvizje stafi
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Pas raportimit të Gazetës Insajderi lidhur me shpalljen e konkurseve publike në Telekomin e Kosovës për pozita juridike, pa shpallur paraprakisht konkurse të brendshme, kjo ndërmarrje ka dhënë sqarime për nevojën e angazhimit të stafit të ri juridik.

Telekomi i Kosovës ka deklaruar për Insajderin se po përballet me një numër të madh të lëndëve gjyqësore dhe me fluks të lartë të punëve juridike, çka sipas tyre ka krijuar nevojë për forcim të kapaciteteve të brendshme.

“Departamenti Ligjor ofron mbështetje të vazhdueshme për të gjitha drejtoritë dhe njësitë organizative brenda Telekomit të Kosovës Sh.A., duke trajtuar kërkesa, opinione ligjore, akte të brendshme, kontrata, procedura administrative dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e ndërmarrjes”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Sipas tyre, gjatë viteve të fundit ka pasur lëvizje të konsiderueshme të stafit juridik dhe zvogëlim të numrit të punëtorëve në këtë departament, pasi disa prej tyre kanë avancuar jashtë Telekomit.

“Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e ngarkesës së punës”, thuhet tutje në përgjigje.

Telekomi po ashtu ka mohuar se aktualisht ka kompani apo përfaqësues të jashtëm juridik të angazhuar.

“Telekomi i Kosovës Sh.A. aktualisht nuk ka të angazhuar asnjë kompani apo përfaqësues të jashtëm juridik, kështu që është duke i mbuluar të gjitha punët operative juridike me staf të brendshëm”, thuhet në përgjigje.

Sipas ndërmarrjes, angazhimi i dy përfaqësuesve të rinj juridikë paraqet “nevojë të arsyeshme” për ruajtjen e funksionimit efikas të njësisë dhe mbrojtjen profesionale të interesave të kompanisë.

Gazeta Insajderi kishte raportuar se Telekomi i Kosovës, në prag të zgjedhjeve, ka shpallur konkurse publike për dy përfaqësues ligjorë dhe disa pozita të tjera, si teknik i ngrohjes, udhëheqës i ekipit të instalimeve të ujit dhe vozitës, pa shpallur paraprakisht konkurse të brendshme për këto pozita.

Insajderi kishte raportuar edhe më herët për numrin e madh të juristëve në këtë ndërmarrje publike. Sipas raportimit të vitit 2024, Telekomi kishte 46 juristë, prej të cilëve shtatë me provim të Jurisprudencës.

Në të njëjtën periudhë, Telekomi kishte shpallur edhe tender për “Përfaqësime Juridike dhe Konsulencë Juridike” në vlerë të parashikuar prej 21 mijë e 600 euro. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark