Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Telaku, ka shpalosur prioritetet e tij për sektorin e shëndetësisë, duke e cilësuar gjendjen aktuale si një krizë të vazhdueshme që kërkon ndërhyrje imediate.
Përmes një shkrimi në “Facebook”, Telaku ka drejtuar kritika ndaj dështimit për të jetësuar reforma konkrete, duke thënë se deri më tani qytetarët kanë dëgjuar vetëm premtime, ndërkohë që përballen me mungesë shërbimesh dhe lista të gjata pritjeje nëpër spitale.
Sipas tij, rimëkëmbja e këtij sektori nuk është thjesht një alternativë, por një detyrim shtetëror për të rikthyer besimin e humbur të qytetarëve te institucionet publike shëndetësore.
“Një sistem i tillë nuk bëhet pa investim në spitale rajonale me pajisje moderne, specialistë e sigurime funksionale shëndetësore. Besimi i qytetarëve në sistemin publik shëndetësor është po aq i dëmtuar sa në institucionet tjera publike, dhe këtë duhet ta ndryshojmë me patjetër. Ky nuk është rekomandim, është obligim”, ka thënë Telaku.
Një pikë kyçe e programit të tij mbetet ndalimi i ikjes së profesionistëve shëndetësorë jashtë vendit.
Telaku ka bërë thirrje për mbështetje urgjente ndaj specializantëve të rinj, duke kërkuar që shteti t’u ofrojë kushte dinjitoze dhe t’u shndërrohet në krah mbështetës, e jo në pengesë.
“Nuk e kemi luksin që mendjet e reja të sistemit shëndetësor t’ia japim Europës. Ata që i futen kësaj rruge të vështirë e me shumë përgjegjësi, duhet ta dinë se vendin e tyre e kanë në krah. Kjo s’bëhet nga pozicioni i krizës së vazhdueshme”, ka shkruar ai.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Naim Telaku garon me numrin 55 në listën e PDK-së, e cila mban numrin rendor 125 dhe udhëhiqet nga kandidati për kryeministër, Bedri Hamza.