Partia Demokratike e Kosovës ka dëshmuar fuqinë e saj elektorale përmes një tubimi masiv të mbajtur në qytetin e Ferizajt. Atmosfera e zjarrtë dhe pjesëmarrja e madhe e qytetarëve po vlerësohen si një sinjal i qartë i vullnetit për ndryshim politik në vend.
Pas këtij tubimi, ka reaguar kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Diana Shehu Devaja.
Përmes një mesazhi të shpërndarë në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e marrë, duke potencuar se Ferizaj tregoi qartë se vendi është gati për një kapitull të ri.
Sipas saj, Kosova ka nevojë urgjente për institucione që punojnë drejtpërdrejt për interesat e qytetarëve dhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
“Ferizaj tregoi se Kosova është gati për një fillim të ri. Energjia, mbështetja dhe besimi i qytetarëve janë forca që na shtyjnë drejt ndryshimit që vendi ka nevojë. Ka ardhur koha që qytetarëve t’u rikthehet shpresa për një jetë më të mirë, për më shumë zhvillim, vende pune dhe stabilitet. Kosova meriton institucione që punojnë për njerëzit dhe një të ardhme ku secili ndihet i vlerësuar“, ka shkruar Shehu Devaja.
Kandidatja e PDK-së u ka bërë thirrje qytetarëve që të masivizohen në zgjedhjet e 7 qershorit, duke e cilësuar këtë datë si momentin vendimtar për të nxjerrë vendin nga stagnimi.
“Më 7 qershor, vendosim për drejtimin që duam t’i japim vendit. Bashkë mund ta nxjerrim Kosovën nga kriza dhe ta çojmë përpara”, ka përfunduar ajo.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 7 qershor, ku PDK-ja garon me platformën e saj për rimëkëmbje dhe zhvillim.