Insajderi
Lajme

Supremja ia rrëzon LVV-së ankesën për tubimin në sheshin “Skënderbeu”, lë në fuqi vendimin e PZAP-së

Insajderi
29 May 2026 - 17:45
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Supremja ia rrëzon LVV-së ankesën për tubimin në sheshin “Skënderbeu”, lë në fuqi vendimin e PZAP-së
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se Kolegji i saj ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizja Vetëvendosje kundër vendimit të Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të datës 22 maj 2026.

Ankesa kishte të bënte me refuzimin e kërkesës së LVV-së për mbajtjen e një tubimi politik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, në ankesën e paraqitur, LVV kishte pretenduar se PZAP kishte zbatuar gabimisht nenin 4 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 dhe se vendimi i këtij institucioni kishte mungesë arsyetimi.

Po ashtu, LVV kishte theksuar se kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës, e dorëzuar më 30.04.2026, nuk mund të krijonte përparësi procedurale, pasi në atë periudhë Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Prishtinë ende nuk ishte konstituuar.

Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe të gjitha shkresave të lëndës, Gjykata Supreme vlerësoi se ankesa është e pabazuar dhe se vendimi i PZAP-së “është i drejtë, i ligjshëm dhe i mbështetur në dispozitat përkatëse të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës dhe Deklarimin Financiar”.

Gjykata Supreme konstatoi se Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Prishtinë kishte vepruar në përputhje me nenin 4 të Rregullores Nr. 07/2024, i cili parasheh se KKZ mund ta refuzojë kërkesën e një subjekti politik në rast se hapësira e kërkuar është rezervuar më herët nga një subjekt tjetër politik.

“Nga shkresat e lëndës rezulton se subjekti politik PDK kishte dorëzuar kërkesën për mbajtjen e tubimit politik në Sheshin ‘Skënderbeu’ më 30.04.2026, ndërsa LVV kishte paraqitur kërkesën më 08.05.2026, për të njëjtën datë dhe lokacion”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Tutje, Gjykata vlerësoi se Rregullorja Nr. 07/2024 përcakton vetëm afatin e fundit për paraqitjen e njoftimeve për tubime politike dhe nuk parasheh kufizime lidhur me kohën e paraqitjes së kërkesave para funksionalizimit të KKZ-së.

Gjithashtu, Supremja i cilësoi si të pabazuara pretendimet e LVV-së për mungesë arsyetimi në vendimin e PZAP-së, duke theksuar se ky institucion kishte trajtuar në mënyrë të mjaftueshme çështjen e funksionalizimit të KKZ-së dhe kishte dhënë arsye të qarta juridike mbi bazën e dispozitave të zbatueshme.

Si rrjedhojë, Gjykata Supreme konstatoi se gjendja faktike ishte vërtetuar drejt, se nuk kishte shkelje procedurale apo zbatim të gabuar të ligjit dhe se pretendimet ankimore të LVV-së nuk ishin mbështetur me prova relevante.

Për këtë arsye, ankesa e Lëvizja Vetëvendosje u refuzua si e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së mbeti në fuqi.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark