Kandidati i PDK-së për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, Nderim Mustafa, i cili garon me numrin 65 në listën zgjedhore të kësaj partie, ka vazhduar aktivitetet e tij në kuadër të fushatës elektorale.
Përmes një video-mesazhi dhe një postimi në rrjetet sociale, afaristi Mustafa që vjen nga Zvicra ka thënë se i është bashkuar PDK-së për të sjellë përvojën e tij afariste, dijen dhe angazhimin në shërbim të Kosovës.
Ai është shprehur se, duke jetuar dhe vepruar për vite me radhë mes Kosovës dhe Zvicrës, ka pasur mundësinë të vlerësojë se cilat forca politike kanë kontribuar më shumë për zhvillimin e vendit.
Sipas Mustafës, PDK-ja është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e UÇK-së, ndërsa ka theksuar se kontributi i tij për Kosovën nuk ka munguar asnjëherë, duke përmendur bashkëpunimin e vazhdueshëm me kompani kosovare.
“Kam pasur kohë më shumë se të tjerët për të parë se cila parti ka punuar më shumë për Kosovën. Nuk kam asnjë përfitim personal pse i jam bashkuar PDK-së”, ka deklaruar ai.
Mustafa ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke vlerësuar se qytetarët duhet të ndëshkojnë me votë çdo qeveri që, sipas tij, gabon dhe nuk merr përgjegjësi për veprimet e veta.
Ai ka bërë thirrje për mobilizim në zgjedhjet e 7 qershorit, duke kërkuar mbështetje për PDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamza.