Në lagjen e Nicav të fshatit Sibofc (ish-Sibovac), një rrugë mban zyrtarisht emrin Ajete Kelmendi sipas hartave dhe dokumentacionit komunal. Megjithatë, në tabelat e vendosura fizikisht në vend shfaqet vetëm “Kelmendi”.
Anduena Kelmendi
Kjo mungesë e emrit të plotë ka kthyer në çështje simbolike për familjen Kelmendi. Ideja për të emëruar rrugën me emrin e plotë të Ajete Kelmendit erdhi nga Shkodran Kelmendi, djali i Milazimit. Ai ia propozoi babait të tij që lagjes t’i vihet emri i nënës së tij një dëshmore civile duke theksuar se më mirë t’u vendosim emrat e dëshmorëve dhe martirëve që dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot. Propozimi u mbështet nga banorët e lagjes dhe u miratua nga komuna por zbatimi mbeti vetem ne leter.

Ajete Kelmendi, nënë 75-vjeçare, ishte grua e thjeshtë por e fortë, që jetonte me dashuri për familjen dhe traditën. Ajo përgatiste pite të nxehta që mbushnin shtëpinë me aromë, pelqente shumë produktet e bylmetit që i bënte vetë me duart e saj të kujdesshme, dhe thurte me qejf qorape, jeleka e xhampera për fëmijët dhe nipërit.
Në mbrëmjet e gjata i këndonte djalit të saj Milazimit këngë patriotike që i mbeteshin në mendje përgjithmonë: “Kamb mbas kambe, urra urra trima, mas flamuri topi vlon e vlon, mitrolezi bubullon… për lirinë e kombit tonë”.

Ajete Kelmendi dhe djali i saj Milazim Kelmendi, viti 1997
Më 22 shtator 1998, gjatë ofensivës së ushtrisë jugosllave ndaj fshatit Sibofc, Ajete Kelmendi u godit nga një snajper serb ndërsa familja po largohej drejt Qyqavicës.
“Një plumb i vetëm dum-dum ja mori jetën, rreth 200 metra larg shtëpisë,” tregon Milazim Kelmendi, i biri i saj. Pas plagosjes së rëndë, familja kaloi nëpër rrugë të rrezikshme, duke hasur në forcat e UÇK-së në Grabofc. Aty u informuan se mjeku në Gradicë ishte vrarë po atë ditë, bashkë me Fehmi dhe Gjevë Lladrovcin. Ajete u transportua në spitalin privat “Jeta” në Breg të Diellit. Një mjek goran, Shukri Hoxhaj, luftoi për ta pranuar, duke u përplasur me drejtorin serb që e quante “terroriste” të moshuarën 75-vjeçare. Dy policë serbë me armë ruajtën derën e saj deri në çastin e fundit. Pas tri ditësh në komë, ku Ajete ankonte vetëm “shumë po më dhemb varra”, ajo ndërroi jetë.
Mjekët i kishin thënë familjes se do të bënin çmos deri në minutën e fundit, por plaga ishte fatale. Varrosja në Prishtinë u bë në kushte lufte, me qindra njerëz që erdhën për ta përcjellë. Gjatë qëndrimit në spital, Ajete Kelmendi u vizitua edhe nga e larta Komisionerja e OKB-së për Refugjatë, Sadako Ogata.
Sipas dëshmive të motrave mjekësore, Ogata u prek thellë kur pa gjendjen e rëndë të nënës, duke derdhur lot. Ogata luajti rol të rëndësishëm edhe në shpëtimin e mijëra civilëve të strehuar në Reznik. Milazim Kelmendi thekson se nëna e tij nuk ishte ushtare, por një civile e thjeshtë që u vra pa faj gjatë ikjes. “Ajo dha jetën për lirinë që ne e gëzojmë sot,” thotë ai. Edhe pse Bashkim Gashi konfirmoi se rruga mban zyrtarisht emrin ‘Ajete Kelmendi’, në tabelën e vendosur në lagje figuron vetëm mbiemri ‘Kelmendi’. Familja shpreson që institucionet kompetente ta korrigjojnë këtë padrejtësi të vogël por shumë simbolike: të vendosin tabelën me emrin e plotë Ajete Kelmendi, ashtu siç është miratuar zyrtarisht.
Gjatë bashkëbisedimit me zyrtar të komunës së Kastriotit me z.Bashkim që na ka informuar që gjatë qeverisjes aktuale nuk janë të vendosur këta emra mirëpo munden të vijnë banorët e asaj rrugës të bëjnë kërkesë që ta ndërrojnë emrin nëse bëjnë kërkesë në komun.
Shënim: Autorja është studente e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë në UP. Teksti është shkruar në kuadër të lëndës “Zhanret e gazetarisë”.