Përparim Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës, ka thënë se nëse qeveria në detyrë, siç u shpreh ai, zhbllokon fondet e BERZh-it për ndërtimin e unazës së kryeqytetit, s’do të ketë tarifa për askënd.
Sipas Ramës, vendimi për tarifa është ende ide për diskutim publik dhe se tarifa është propozuar që të jetë 1 ose 2 euro për veturat që s’janë të regjistruara në Komunën e Prishtinës.
“Arsyeja pse po e shqyrtojmë këtë mundësi është e thjeshtë: Prishtina ka nevojë urgjente për investime të mëdha infrastrukturore, veçanërisht për ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit, një projekt që do të zvogëlonte kolonat, do të lehtësonte qarkullimin, do të reduktonte ndotjen dhe do të përmirësonte cilësinë e jetës për të gjithë”, ka thënë Rama.
Sipas tij, tarifa po diskutohet si alternativë në rast se fondet e BERZH-it vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga niveli qëndror.
“Propozimi për tarifën e kongjestionit nuk ka për qëllim mbledhjen e të hyrave për hir të të hyrave. Ai është një mekanizëm alternativ që po shqyrtohet vetëm sepse zhvillimi i Prishtinës nuk mund të mbetet peng i bllokadave politike”, thotë ai.