Insajderi
Zgjedhjet 2026

“Gjykata nuk konstatoi shkelje kushtetuese” – Bardhyl Hasanpapaj kundërshton interpretimet e Veton Surroit për rastin e Osmanit

Insajderi
03 June 2026 - 20:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Gjykata nuk konstatoi shkelje kushtetuese” – Bardhyl Hasanpapaj kundërshton interpretimet e Veton Surroit për rastin e Osmanit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Bardhyl Hasanpapaj, ka reaguar me një sqarim në 8 pika lidhur me deklarimet e publicistit Veton Surroi lidhur me deklarimin e Presidentes Vjosa Osmani rreth kushtetutshmërisë së dekretit të saj, të trajtuar në Gjykatën Kushtetuese.

Në reagimin e tij, Hasanpapaj thekson se debati juridik po keqinterpretohet dhe se vendimi i Gjykatës nuk përmban konstatim për shkelje të Kushtetutës.

Ai e përmbledh qëndrimin e tij në 8 pika kryesore:

1. Debati nuk është nëse dekreti prodhoi efekt juridik, por nëse Presidentja e shkeli Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese nuk konstatoi asnjë shkelje. Kjo është pika që nuk mund të humbet në lexim dhe as interpretim.

2. Në të drejtën kushtetuese ekziston dallim themelor ndërmjet një akti pa efekt juridik dhe një akti që përbën shkelje të Kushtetutës. Gjykata e tha të parën; nuk e tha të dytën.

3. Kushtetuta e Kosovës njeh madje edhe kategorinë e “shkeljes së rëndë”. Në këtë rast, Gjykata jo vetëm që nuk konstatoi shkelje të rëndë (siç ka bërë tashmë në jurisprudencën e saj), por nuk konstatoi fare shkelje.

4. Pretendimi se Gjykata rrëzoi arsyetimin e Presidentes nuk qëndron. Aktgjykimi konfirmon pikërisht premisën e saj themelore: Presidenti duhet të zgjidhet të paktën 60 ditë para skadimit të mandatit të Presidentit në detyrë.

5. Gjykata nuk e gjeti të gabuar vlerësimin kushtetues të Presidentes. Ajo trajtoi vetëm rrethanat e jashtëzakonshme të krijuara nga zgjedhjet e parakohshme dhe konstituimi i vonuar i Kuvendit, që vetëm ish partia në pushtet dinë t’i krijojë.

6. Afati 34-ditor nuk ishte korrigjim i një shkeljeje kushtetuese, por zgjidhje për një situatë kushtetuese të jashtëzakonshme që Kushtetuta nuk e kishte parashikuar shprehimisht.

7. Po të kishte pasur shkelje kushtetuese, Gjykata do ta kishte thënë këtë. Gjykatat kushtetuese nuk komunikojnë shkelje përmes insinuatave, por përmes konstatimeve. Gjykatat kushtetuese nuk fshehin konstatimet e shkeljeve pas formulave diplomatike. Ato i shkruajnë qartë ato në dispozitiv dhe arsyetim. Ky është një element qendror i gjykimit të drejtë dhe, për pasojë, themeli i sundimit të ligjit.

8. Prandaj, Gjykata e pranoi saktësinë e vlerësimit kushtetues të Presidentes, por për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme zgjodhi një rrugë tjetër, të nuancuar, për zbatimin e tij. Mes “dekreti nuk pati efekt juridik” dhe “Presidentja e shkeli Kushtetutën” qëndron një dallim i madh që aktgjykimi e ruan me kujdes profesional e me të drejtë dhe që interpretimet politike nuk mund ta fshijnë. Përfundimisht, Gjykata ka ratifikuar si saktësinë faktike ashtu dhe materiale të gjykimit të Presidentes Osmani.

Reagimi i tij vjen si kundërpërgjigje ndaj analizës publike të Surroit rreth vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe interpretimit të tyre politik e juridik.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark