Insajderi
Zgjedhjet 2026

“Në demokraci nuk ka të paprekshëm” -Lushtaku akuzon LVV-në: Pse çdo herë kur përmenden emrat e afërt me pushtetin, heshtet?

Insajderi
03 June 2026 - 20:48
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Në demokraci nuk ka të paprekshëm” -Lushtaku akuzon LVV-në: Pse çdo herë kur përmenden emrat e afërt me pushtetin, heshtet?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar përmes një videoje publike duke ngritur akuza dhe kërkesa për transparencë institucionale lidhur me disa raste të përmendura në opinionin publik.

Ai ka thënë se disa persona flasin për drejtësi, por “heshtin kur drejtësia troket te dera e tyre”, duke kërkuar që institucionet të mos veprojnë në mënyrë selektive.

Në reagimin e tij, Lushtaku përmend rastin e kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, duke deklaruar se “është raportuar se kryetari Shpejtim Bulliqi ka ushtruar dhunë në vendin e tij të punës dhe janë publikuar pamje që kanë nxitur debat publik”.

Ai ka ngritur pyetje edhe për reagimin institucional:

“Ku ishte zgjedhja institucionale? Ku ishte njësia speciale me maska dhe me armë të gjata? Apo ligji po vepron ndryshe varësisht se kush është personi në pushtet?”

Lushtaku i është drejtuar edhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke kërkuar përgjegjësi morale dhe transparencë për raste të përmendura publikisht.

“Qytetarët meritojnë përgjigje. Së paku është dashur të mbani përgjegjësi morale kur emri i Flamur Sveçlës, pjesë e familjes suaj, është lidhur me raportime publike për rastin me drogë në Maqedoninë e Veriut, për të cilin ekziston edhe një vendim gjyqësor”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur gjithashtu edhe raste të tjera të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se opinioni publik nuk i ka harruar ato zhvillime.

“Qytetarët nuk kanë harruar rastet e ish-asambleistit të LVV-së, Besnik Mujeci, që është arrestuar në vitin 2023 në Shqipëri për trafikim me drogë, apo të ish-kandidatit për asamble, Kushtrim Ramadani, emri i të cilit është përmendur po ashtu në raporte publike për arrestim me drogë”, ka deklaruar Lushtaku.

Ai ka theksuar se këto raste kanë ngritur pikëpyetje serioze dhe kërkojnë transparencë e jo heshtje.

“Këto raste kanë ngritur pikëpyetje serioze në opinionin publik dhe kërkojnë transparencë e jo heshtje. Pse çdo herë kur përmenden emrat më të afërt me pushtetin, përgjegjësia zëvendësohet me arsyetime?”, është shprehur ai.

Në fund të reagimit të tij, Lushtaku ka thënë se kërkon vetëm hetim dhe llogaridhënie, duke shtuar:

“Nëse nuk ka asgjë për të fshehur, atëherë le të bëhen publike të gjitha faktet para qytetarëve dhe institucioneve. Qytetarëve të Kosovës u është kërkuar për vite me radhë t’i shohin disa si shpëtimtarë të vendit, por askush nuk duhet të trajtohet si i paprekshëm, as Albin Kurti që nuk i përgjigjet Prokurorisë. Në demokraci nuk ka njerëz mbi ligjin. Kosova meriton standarde të njëjta për të gjithë”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark