Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bardhyl Hasanpapaj, ka vlerësuar lart pjesëmarrjen dhe mbështetjen e qytetarëve në tubimin e mbajtur në Gjilan, duke e cilësuar atë si një dëshmi të energjisë së bashkimit dhe shpresës për ndryshim.
Përmes një postimi, Hasanpapaj tha se në Gjilan, zemrën e Anamoravës, u pa qartë vullneti i qytetarëve për t’u bërë pjesë e rrugëtimit drejt fitores së LDK-së.
“Në Gjilan, zemrën e Anamoravës, aty ku bashkohet Lindja e Kosovës dhe Lugina, u ndje fuqishëm energjia e bashkimit dhe shpresa për ndryshim. As shiu nuk e ndali këtë manifestim madhështor politik dhe as vullnetin e qytetarëve për t’u bërë pjesë e rrugëtimit drejt fitores”, ka shkruar Hasanpapaj.
Ai ka falënderuar qytetarët për pritjen dhe përkrahjen që i dhanë LDK-së, duke theksuar se mbështetja e tyre është motiv shtesë për vazhdimin e angazhimit politik.
“Faleminderit për pritjen e jashtëzakonshme dhe përkrahjen e zjarrtë, bashkë ecim drejt fitores!”, ka deklaruar ai.