Autore: Vedina Hyseni – studente në departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës
Pas dekadash ku emrat e burrave dominuan tabelat e rrugëve, Kamenica pritet të vendosë për herë të parë emrin e një gruaje në një prej rrugëve të saj.
Emri i propozuar është ai i Faruza Kallabës, pilotes shqiptare që shërbeu në misionet e NATO-s gjatë luftës së vitit 1999. E njohur për kontributin e saj në misionet ajrore të furnizimit me karburant për avionët luftarakë, Kallaba konsiderohet një figurë me rëndësi të veçantë për historinë e Kosovës dhe veçanërisht për Kamenicën, prej nga e ka origjinën familjare.
Propozimi për emërtimin e rrugës është bërë si formë nderimi për rolin dhe kontributin e saj gjatë periudhës së luftës, duke e bërë atë një nga gratë e para që përfaqësohet në hapësirat publike të komunës. “Do ta nderojmë me titullin ‘Emblema e Kamenicës’”, është shprehur kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, teksa ka folur për propozimin që një rrugë e qytetit të mbajë emrin e Faruza Kallabës.
Familjarët e saj thonë se ky vlerësim ka një domethënie të veçantë për ta. Ata e përshkruajnë Faruzën si një grua të përkushtuar, të guximshme dhe krenare për origjinën e saj nga Kamenica, duke shtuar se kontributi i saj ka qenë gjithmonë i lidhur me dëshirën për të ndihmuar Kosovën në periudhat më të vështira.
Ata tregojnë se Faruza ka qenë gjithmonë një grua e fortë dhe e vendosur, e cila, pavarësisht jetës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e harroi asnjëherë prejardhjen dhe lidhjen me Kosovën. Sipas familjarëve, ajo gjithmonë ka folur me krenari për rrënjët e saj dhe ka mbetur e përkushtuar ndaj vendit të origjinës së familjes.
Familjarët thonë edhe se ajo vazhdon të mbajë lidhje me Kosovën dhe se gjithmonë ka qenë një person me karakter të fortë dhe të guximshëm. Sipas tyre, ndonëse lidhjet e saj direkte me Kamenicën nuk kanë qenë të shpeshta, kontributi dhe dëshira për të ndihmuar vendin e saj kanë qenë gjithmonë lidhja më e fortë me atdheun.
Faruza Kallaba lindi më 3 nëntor 1956 në Damask të Sirisë, në një familje me rrënjë të përziera por me një lidhje të fortë me atdheun. Babai i saj, Haki Kallaba, ishte shqiptar me origjinë nga Rogana e Kamenicës, ndërsa nëna e saj, Ana Senkijeviq (Senkiewicz), kishte origjinë ukrainase. Më vonë, familja e saj u shpërngul nga Siria drejt Çikagos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Faruza u rrit dhe ku jeton edhe sot. Studimet universitare i përfundoi në Universitetin Northeastern Illinois në degën e linguistikës.
Kallaba hyri në histori si gruaja e parë në Gardën Nacionale të Forcave Ajrore të shtetit Illinois. Në vitin 1979 ajo iu bashkua këtij institucioni ushtarak amerikan, ndërsa më 1984 u bë gruaja e parë anëtare e ekipit të fluturimit. Gjatë karrierës së saj ushtarake mori pjesë në operacionet “Desert Shield” dhe “Desert Storm”, ndërsa kontributin më të madh e dha gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Atëherë ajo u paraqit vullnetarisht për operacionet e NATO-s kundër forcave serbe, duke shërbyer në misionet për furnizim me karburant në ajër të aeroplanëve bombardues. Faruza mori pjesë në mbi 30 operacione luftarake dhe shpesh ka deklaruar se krenaria më e madhe e jetës së saj ishte mbrojtja e popullit shqiptar dhe e atdheut të babait të saj, Kosovës.
Ajo ka treguar se përfshirja në misionin e NATO-s në Kosovë kishte një domethënie të veçantë personale dhe profesionale. “Kur doli mundësia për misionin në Kosovë, unë isha e para që u paraqita. Për mua, ky ishte kulmi i karrierës sime, pasi isha edhe afër pensionimit. Ky operacion ishte shumë domethënës sepse bëhej fjalë për vendin e babait tim,” është shprehur ajo në një intervistë për mediat. Gjatë luftës në Kosovë, Faruza ishte e stacionuar në Francë. Roli i saj ishte specifik dhe me rrezikshmëri të lartë: ajo fluturonte me avionë cisternë dhe realizonte misione të furnizimit me karburant në ajër për avionët bombardues të NATO-s që kryenin sulme mbi caqet serbe. Për javë të tëra, ajo kreu rreth 30 misione operacionale, duke kaluar net të tëra në fluturim mbi zonën e konfliktit me një qëllim të vetëm: mbështetjen e operacioneve për çlirimin e Kosovës.
Pas përfundimit të luftës, Faruza vizitoi Kosovën dhe dhuroi uniformën që kishte përdorur gjatë operacioneve të NATO-s. Më vonë, kjo uniformë u ekspozua në Muzeu i Kosovës, si dëshmi e një kontributi të veçantë në një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit.
Në një intervistë, ajo e përshkroi emocionin që ndjeu kur pa uniformën e saj të vendosur në muze: “Nuk ka fjalë për ta përshkruar sa ndjenjë e bukur është, sepse do të jetë një kujtim për të gjithë familjarët e mi këtu dhe atje. Përveç familjarëve, është një memorie shumë e bukur për ta kujtuar se çfarë ka bërë NATO-ja për ta ndihmuar Kosovën. Thjesht nuk mund ta përshkruaj se si më duket ajo uniformë.” tha Kallaba.
Jeta dhe karakteri i Faruzës u ndikuan fuqishëm nga historia e jashtëzakonshme e babait të saj, Haki Jashar Kallabës. Hakiu lindi më 15 maj 1917 në Roganë, në një kohë kur shkollimi i shqiptarëve ishte shumë i vështirë. Megjithatë, ai tregoi një dëshirë të madhe për dije dhe arriti të vazhdonte shkollimin ushtarak në Beograd.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai kaloi përvoja të shumta ushtarake në Kroaci, Austri dhe Rusi, duke marrë pjesë edhe në betejat e Stalingradit. U plagos disa herë gjatë luftës, madje mbajti një plumb në fyt për rreth 20 vjet, deri sa iu hoq me operacion në Çikago më 1963. Pas luftës, Hakiu jetoi në Itali, ku u njoh dhe u martua me ukrainasen Anna Senkiewicz.
Më pas familja u vendos në Siri, ku Hakiu punoi si instruktor ushtarak. Në Damask lindën katër vajzat e tyre, ndër to edhe Faruza. Në vitin 1959 familja emigroi në SHBA dhe u vendos në Çikago. Edhe pse jetonte larg Kosovës, Hakiu e ruajti gjithmonë lidhjen shpirtërore me vendlindjen dhe ua përcolli fëmijëve dashurinë për prejardhjen shqiptare.
Në vitin 2000 Faruza Kallaba vizitoi Kosovën së bashku me prindërit e saj. Në Roganë ata u pritën me nderime të mëdha nga banorët e vendlindjes së Hakiut, si simbol i krenarisë dhe sakrificës për kombin shqiptar. Sot Faruza Kallaba kujtohet si një grua e guximshme, pilote dhe ushtarake shqiptaro-amerikane, e cila me përkushtim mbrojti popullin e Kosovës dhe nderoi trashëgiminë patriotike të familjes së saj.
Në një intervistë të mëvonshme, Faruza ka treguar se pas viteve të shërbimit ushtarak, jeta e saj u përqendrua te udhëtimet dhe kujdesi për prindërit e saj, me të cilët jetonte në Florida, ndërsa gjatë verës qëndronin në Çikago. Ajo është shprehur se prindërit kanë qenë gjithmonë pjesë shumë e rëndësishme e jetës së saj dhe se prej tyre ka mësuar shumë për botën, gjuhët, njerëzit dhe kulturat e ndryshme. “Tani më mungojnë shumë. Përpiqem t’i mbush ditët e mia, ndërsa babai ishte i fundit që iku. Më duket se në vitin 2004 kam qenë për herë të fundit në Kosovë. Ishte një moment shumë i bukur që ai t’i shihte të gjithë familjarët dhe në atë kohë ishte mirë, por në vitin 2008 ai vdiq”, është shprehur ajo në intervistë.
Ajo është shprehur se dëshiron ta vizitoj Kosovën së shpejti dhe se i kanë treguar që fshati dhe qyteti kanë ndryshuar shumë dhe janë bërë shumë më të bukur se më parë, prandaj vizita në vendlindje është diçka që ajo patjetër dëshiron ta realizojë. Sipas saj, rikthimi në Kosovë mbetet gjithmonë një ndjenjë e veçantë dhe e rëndësishme, pasi e lidh me kujtimet, familjen dhe historinë e saj. Emërtimi i një rruge me emrin e Faruza Kallabës përfaqëson një vlerësim për kontributin e saj dhe të të gjitha grave në historinë e Kosovës, si dhe një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së grave në hapësirat publike të Kosovës. Ky vendim shihet si një mënyrë për të ruajtur kujtimin e saj dhe për ta përcjellë brezave të ardhshëm historinë e një gruaje që dha kontribut të veçantë në një periudhë vendimtare për Kosovën.