Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pothuajse ka përmbyllur procesimin e të dhënave për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në fashën e orarit të orës 17:00.
Sipas përditësimit zyrtar të bërë në orën 19:04, dalja e saktë e votuesve deri në atë kohë në nivel vendi ka arritur në 29.30%.
Nga gjithsej 1,959,962 qytetarë me të drejtë vote, deri në orën 17:00 të drejtën e tyre e kanë shfrytëzuar 574,309 votues.
Këto të dhëna konsiderohen thuajse finale për këtë orar, pasi sistemi ka procesuar 2,496 nga 2,498 vendvotime sa janë gjithsej në tërë Kosovën, që përbën një përqindje rekord prej 99.92% të të dhënave të grumbulluara nga terreni.
Krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ku pjesëmarrja deri në orën 17:00 kishte arritur në 38.63%, në këtë proces zgjedhor shihet një rënie e theksuar e interesimit të qytetarëve për të votuar, me një diferencë prej afro 9% më pak.
Sikurse specifikohet edhe nga KQZ, në këto statistika të rregullta nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta si dhe votat e dërguara nga diaspora përmes postës.
