Kandidati për kryeministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka reaguar menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit në të gjithë Kosovën, duke u shprehur mirënjohës ndaj qytetarëve dhe duke përcjellë një mesazh të prerë për ata që menaxhojnë procesin e numërimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjini ka falënderuar të gjithë qytetarët që morën pjesë në votime dhe shprehën vullnetin e tyre politik. Me fillimin e fazës së numërimit, ai u ka bërë thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të tregojnë profesionalizëm maksimal për të garantuar një proces të pastër dhe transparent.
“U bëj thirrje të gjithë komisionerëve dhe vëzhguesëve të jenë korrekt në numërim, të kujdesen që demokracia që populli e ka vendosur në kuti të votimit të jetë ajo e vërteta dhe të mos përsëriten gabimet e së kaluarës,” ka shkruar Gjini.
Kandidati i AAK-së për shef të qeverisë ka vënë theksin te rëndësia e mbrojtjes së votës, duke kujtuar se vetëm përmes një pune të drejtë mund të sigurohet respektimi i plotë i vullnetit të sovranit dhe të mbrohet integriteti i demokracisë në vend.