Insajderi
Lajme

Raportimi i Insajderit | Supremja prish vendimin e Apelit ku një i mitur “kurbani” i vetëm i një rrjeti dhune në Prishtinë që publikonin edhe në TikTok

Insajderi
10 June 2026 - 15:09
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Raportimi i Insajderit | Supremja prish vendimin e Apelit ku një i mitur “kurbani” i vetëm i një rrjeti dhune në Prishtinë që publikonin edhe në TikTok
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një aktgjykim i fundit i Gjykatës Supreme të Kosovës ka hedhur hije të reja dyshimi mbi mënyrën se si është trajtuar një rast i rëndë i dhunës mes të miturve në Prishtinë, rast i cili kishte marrë vëmendje publike edhe për shkak të publikimit të videove në rrjetin social TikTok.

Me aktgjykimin e saj, që erdhi pas ankesës së avokates Shqipe Ramushi, Supremeja ka pranuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, duke prishur vendimin e Gjykatës së Apelit dhe atë të Gjykatës Themelore, ndërsa çështjen e ka kthyer në rigjykim. Vendimi ngre pikëpyetje serioze lidhur me mënyrën se si organet e drejtësisë kishin trajtuar përgjegjësinë penale të personave të përfshirë në ngjarje.

Një grup sulmuesish, një i dënuar

Sipas dokumenteve të siguruara nga Gazeta Insajderi, ngjarjet lidhen me një seri incidentesh të ndodhura në fund të vitit 2023 në zonën e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Viktimat kishin raportuar se ishin rrethuar nga një grup të rinjsh, të cilët nën kërcënimin e thikave kishin kërkuar para dhe kishin ushtruar dhunë fizike ndaj tyre.

Në një prej rasteve, viktima kishte deklaruar se grupi i kishte marrë 15 euro nën kërcënimin e armëve të ftohta. Në incidente të tjera, të rinjtë dyshohet se kishin goditur viktimat dhe kishin incizuar sulmet, duke i publikuar më pas në TikTok.

Megjithatë, pavarësisht pretendimeve për pjesëmarrjen e disa personave në këto ngjarje, vetëm i mituri E.Z. përfundoi duke u dënuar nga gjykatat e rregullta.

Bashkëkryerësit si dëshmitarë

Një nga aspektet më të diskutueshme të rastit është fakti se persona të përmendur në dosje si pjesëmarrës në incidentet e dhunshme më vonë u përdorën si dëshmitarë kundër E.Z.

Sipas mbrojtjes, procedura ishte veçuar në atë mënyrë që disa nga personat që dyshohej se kishin marrë pjesë në ngjarje të mos përballeshin me përgjegjësi të njëjtë penale, por të shërbenin si burim provash kundër të miturit.

Në deklarata të përfshira në dosje përmenden persona të tjerë që kishin marrë pjesë në sulme, kishin filmuar viktimat apo kishin ushtruar dhunë. Pavarësisht kësaj, procesi penal përfundoi me përgjegjësi të fokusuar kryesisht mbi një person.

Vendimi i Apelit

Gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi masën edukativo-korrektuese ndaj E.Z., duke vlerësuar ndër të tjera se ai kishte treguar sjellje recidiviste dhe se masat e mëparshme edukative nuk kishin prodhuar efekt.

Arsyetimi i gjykatës ishte fokusuar edhe në rrethanat personale dhe sociale të të miturit, përfshirë mbikëqyrjen familjare dhe shoqërinë me të cilën ai kishte qëndruar.

Kjo qasje u kritikua nga mbrojtja, e cila argumentoi se fokusi ishte zhvendosur nga prova konkrete për veprën penale drejt vlerësimeve mbi sjelljen dhe mjedisin social të të miturit.

Supremeja e kthen rastin në rigjykim

Në aktgjykimin e saj, Gjykata Supreme ka konstatuar se vendimet e mëparshme nuk mund të mbesin në fuqi dhe ka urdhëruar që çështja të shqyrtohet sërish.

Edhe pse arsyetimi i plotë i Supremes kërkon analizë të detajuar të të gjithë aktgjykimit, fakti që janë anuluar si vendimi i shkallës së parë ashtu edhe ai i Apelit tregon se gjykata më e lartë ka identifikuar mangësi të rëndësishme juridike në trajtimin e rastit./ Gazeta Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark