Insajderi
Hulumtime/Analiza

“Kemi mbetur pa pagesa për dy muaj” – zyrtarët korrektues nuk iu dalin pagesat për orët shtesë dhe festat, SHKK: Janë proceduar në Thesar

Insajderi
11 June 2026 - 14:13
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Kemi mbetur pa pagesa për dy muaj” – zyrtarët korrektues nuk iu dalin pagesat për orët shtesë dhe festat, SHKK: Janë proceduar në Thesar
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës po ankohen se ende nuk kanë marrë kompensimin për orët e punës të realizuara gjatë festave zyrtare në muajt prill dhe maj, pavarësisht se kanë qenë në detyrë gjatë këtyre ditëve.

Gazeta Insajderi ka pranuar një ankesë nga një zyrtarë i Shërbimit Korrektues i cili pretendon se ende nuk janë paguar për katër festa zyrtare të muajit Prill dhe Maj.

“Për shërbimin korrektues stafi ka mbetur pa ndërrime të natës dhe pa festa që dy muaj. Dy festat e prillit dhe majit dhe ndërrimet e natës për muajin prill nuk i kanë qitë në pagesa”, tha ai për Insjaderin duke kërkuar që të mbetet anonim.

Punonjësi shpreh pakënaqësi edhe për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen zyrtarët korrektues.

“Ju kisha lut që ta publikoni këtë shqetësim sepse po ndihemi të diskriminuar, për arsye se në pakon e fundit nuk jemi përfshirë në shtesa”, thuhet më tej në ankesë.

Edhe një dokument që posedon Insajderi tregon se për periudhën prill-maj 2026 janë evidentuar orë pune  këto festa zyrtare: Pashkët Katolike më 5 prill, Ditën e Kushtetutës më 9 prill, Ditën e Punëtorëve më 1 maj dhe Ditën e Evropës më 9 maj.

Sipas gardianit, deri tani është paguar vetëm kompensimi për festën e Bajramit, ndërsa pagesat për festat e tjera dhe ndërrimet e natës vazhdojnë të mungojnë.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka mohuar se bëhet fjalë për mospagesë, duke deklaruar se orët e festave zyrtare dhe të ndërrimeve të natës janë proceduar dhe janë dërguar në Thesar për ekzekutim.

“Orët e ndërrimeve të natës dhe orët e festave zyrtare janë dërguar në Thesar për pagesë në fillim të muajit maj 2026. Pagat e muajit maj ende nuk janë ekzekutuar, pasi ekzekutimi i tyre bëhet në fund të muajit”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së për Insajderin.

Institucioni sqaron se këto kompensime procedohen zakonisht një muaj me vonesë, pasi duhet të përfshihen të gjitha orët e realizuara gjatë muajit përkatës para se të dërgohen për pagesë.

Megjithatë, zyrtari është kontaktuar edhe në fillim të muajit qershor nëse janë ekzekutuar mjetet. Por, ai ka thënë se ende nuk kanë marr pagesën e festave zyrtare dhe as orëve shtesë./Gazeta Insajderi/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark