Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e rëndë” në Mitrovicën e Jugut. Arrestimi i tyre u realizua pas një hetimi intensiv të zhvilluar nga hetuesit policorë të Sektorit Rajonal të Hetimeve.
Sipas njoftimit zyrtar, dy të dyshuarit ngarkohen me dyshimin e bazuar se në bashkëveprim kanë vjedhur një shumë parash në banesën private të një qytetari, rast ky i raportuar dy ditë më parë.
“Arrestimi i dy personave të dyshuar është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe prova të siguruara se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale vjedhje e rëndë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas përfundimit të procedurave të intervistimit dhe veprimeve të tjera të nevojshme hetimore, prokurori i rastit ka nxjerrë vendim për caktimin e masës së ndalimit policor prej 24 orësh për të dy të dyshuarit, të cilët janë të moshës së mitur.