Në hyrje dhe daljet kryesore të Suharekës, mes një morie rrugësh që mbajnë emra burrash dhe dominojnë tabelat rrugore, një emër vajze vazhdon të tregojë një histori që nuk duhet harruar: Arlinda Kuqi.
Liridona Krasniqi
Si një lule e këputur para kohe nga furtuna e luftës, emri i saj qëndron i gdhendur në zemër të qytetit, aty ku çdo kalimtar e lexon si kujtim të një jete të ndërprerë padrejtësisht. Lufta ia ndaloi jetën, por kurrë nuk arriti t’ia shuajë dritën. Sot, rruga që mban emrin e saj nuk është vetëm një drejtim në hartën e Suharekës, por një kujtesë e dhimbshme që është shndërruar në përjetësi.
Në pranverën e vitit 1999, kur lufta po merrte jetë dhe po shkatërronte ëndrrat në mbarë Kosovën, njëra nga viktimat ishte edhe Arlinda Kuqi. Ajo u vra mëngjesin e 25 marsit 1999, vetëm një ditë pasi kishte festuar ditëlindjen e saj të 19-të.

Arlinda kishte lindur më 24 mars 1980. Ishte fëmija i tretë dhe vajza e parë e familjes. Për familjarët, miqtë dhe bashkëqytetarët, ajo mbetet kujtimi i një vajze plot jetë, energji dhe buzëqeshje. Njihej për karakterin e saj të çiltër dhe shpirtin pozitiv. Edhe në ditët më të vështira, ajo gjente mënyrën për t’i bërë të tjerët të ndiheshin më mirë.
Që në fëmijëri kishte shfaqur talent të veçantë për aktrim. Krijonte skena, improvizonte role dhe imitonte personazhe të ndryshme për të argëtuar familjarët dhe miqtë. Aftësia e saj për të hyrë në role të ndryshme shpesh i bënte të gjithë të qeshnin. Familjarët kujtojnë se Arlinda shfaqte talent të veçantë kur interpretonte role të plakave apo djemve, duke i sjellë ato me natyrshmëri dhe humor.
Për të, aktrimi nuk ishte thjesht një lojë apo argëtim. Ishte një pasion që e bënte të ndihej e lirë, e lumtur dhe e mbushur me ëndrra për të ardhmen. Por, si shumë ëndrra të të rinjve të asaj kohe, edhe ëndrra e saj u përball me realitetin e luftës.
Mëngjesin e 25 marsit 1999, rreth orës 06:00, familjarët e Arlindës dhe disa të afërm panë forcat serbe rreth 200 metra larg shtëpisë së tyre. Në ato çaste frike dhe pasigurie, vendosën të largoheshin drejt qendrës së qytetit, me shpresën për të shpëtuar.

Teksa po lëviznin, pak më lart se lumi Toplluha në Suharekë, në një pjesë të rrugës që zbret poshtë, ndodhi tragjedia.
Arlinda ishte kapur dorë për dore me familjarët e saj kur u qëllua nga forcat serbe. Brenda pak çastesh, familja humbi vajzën e saj të dashur, ndërsa ëndrrat e saj mbetën përgjithmonë të papërmbushura.
Për familjen, ajo ditë mbetet e gdhendur thellë në kujtesë. Vëllai i saj e kujton ngjarjen me një fjali që vazhdon ta rëndojë edhe sot:
“Po të kishim lëvizur vetëm 10 sekonda më shpejt, Arlinda nuk do të kishte vdekur.”
Kjo fjali përmbledh dhimbjen e një familjeje që humbi një vajzë në lulëzim të jetës. Një jetë që u ndërpre në sekonda, bashkë me ëndrrat, planet dhe të ardhmen që e priste.
Lufta ia mbylli sytë përgjithmonë kur sapo kishte hyrë në vitin e 19-të të jetës. Ajo nuk arriti të ndiqte pasionin për aktrimin, të ndërtonte jetën që kishte ëndërruar dhe as të përjetonte vitet që e prisnin përpara.
Sot, më shumë se dy dekada më vonë, familja nuk e kujton vetëm ditën kur e humbi, por edhe mënyrën se si jetoi. E kujtojnë si vajzën e buzëqeshur që sillte gjallëri kudo, si motrën që dinte t’i bënte të tjerët të qeshnin dhe si njeriun që la gjurmë në zemrat e atyre që e njohën.

Në mesin e qindra emrave të rrugëve të Suharekës, emri i Arlinda Kuqit vazhdon të qëndrojë si një kujtesë e heshtur e një jete të ndërprerë padrejtësisht. Për shumëkënd është vetëm një tabelë rrugore, por për familjen, miqtë dhe bashkëqytetarët e saj, ajo rrugë është simbol i kujtesës dhe i një historie që nuk duhet harruar.
E qeshura e saj u hesht nga lufta, por jehona e saj vazhdon të jetojë në rrëfimet e familjes, në kujtimet e miqve dhe në zemrën e qytetit që mban emrin e saj. Sa herë që ai emër lexohet në tabelën e rrugës, kujtohet jo vetëm humbja e një vajze të re, por edhe detyrimi për të mos harruar kurrë jetët që lufta i ndërpreu para kohe.
Teksa Suhareka shënon 13 Qershorin, Ditën e Çlirimit, kujtimi për Arlindën dhe për të gjithë ata që nuk arritën ta përjetojnë lirinë mbetet kujtesë e qmuar e historisë së qytetit. Liria e fituar sot bart edhe kujtimin e jetëve që u fliuan dhe të ëndrrave që mbetën përgjysmë.
Shkruar nga: Liridona Krasniq
Shënim: Autorja është studente në Departamentin e Gazetarisë në UP. Teksti është shkruar në kuadër të lëndës “Zhanret e gazetarisë”.