Insajderi
Lajme

Fjala që Ndryshoi Fatin e një Fshati

Insajderi
14 June 2026 - 14:29
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Fjala që Ndryshoi Fatin e një Fshati
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në historinë e çdo vendi ka njerëz që nuk kanë lanë pas monumente të mëdha apo poste të
larta, por që me një veprim të vetëm kanë hyrë përgjithmonë në kujtesën e popullit. Njëra
prej tyre është Ajshe Sekiraqa, emri i së cilës sot mban një rrugë në fshatin Bradash të
Podujevës.

Një livadh i mbushur me burra, gra e fëmijë, gryka topash të drejtuara mbi ta dhe një urdhër
që pritej të jepej nga çasti në çast. Në atë moment kritik të vitit 1935, Ajshe Sekiraqa doli
para komandantit dhe u bë zëri i qindra banorëve të Bradashit.

Sipas rrëfimit të një anëtari të familjes i cili Ajshe Sekiraqën e kishte grua të agjës, kjo ngjarje
është ruajtur për breza si pjesë e kujtesës familjare dhe historisë lokale të Bradashit.

Ajshe Sekiraqa, kishte lindur në vitin 1890 dhe ishte martuar në vitin 1910. Ajo kishte
prejardhje nga lagjja Sekiraqa e Gllamnikut, një familje patriotike dhe qëndresës ndër breza.

Edhe pse pa shkollim formal, ajo njihte gjuhën shqipe, serbe dhe rome, duke u dalluar për
urtësinë dhe zgjuarsinë e saj. Ajo ndërroi jetë në vitin 1972, në moshë rreth 85-vjeçare.

Ngjarja që e bëri të paharrueshme këtë grua ndodhi në vitin 1935. Në atë kohë, forcat e
xhandarmërisë serbe, të njohura për popullin si “ xhanarë”, patrullonin vazhdimisht në
fshatrat e Llapit. Një natë, në një vend mes fshatit Bajçinë dhe Bradash të quajtur “ Deliq”,
ndodhi një përplasje ndërmjet kaçakëve shqiptarë dhe xhandarëve serbë, ku pati të vrarë.

Pas kësaj ngjarje, forcat serbe hynë në Bradash dhe e rrethuan fshatin. Banorët u akuzuan
për mbështetje të kaçakëve dhe u nxorrën nga shtëpitë e tyre. Rreth 350 burra,gra dhe
fëmijë u grumbulluan në një livadh të madh. Situata ishte e rëndë. Frika kishte mbuluar
fshatin si një re e zezë, ndërsa mbi njerëzit e pambrojtur qëndronin të drejtuara grykat e
topave.

Ushtarët serbë prisnin për të hapur zjarr. Heshtja rëndonte mbi livadh dhe dukej sikur vetë
koha kishte ndaluar edhe frymën. Ne atë moment, komandanti pyeti se nëse dikush
dëshironte të thoshte diçka për herë të fundit para se të jepej urdhri fatal.

Nga turma u degjua zëri i dikujt, ajo ishte Ajshja.

Me qetësi dhe guxim të jashtëzakonshëm, ajo iu afrua komandantit dhe filloi të fliste në
gjuhën serbe. Fjalët e saj nuk ishin britmë, por kishin peshën e së vërtetës. Ajo tha

“Qysh s’po ju vjen marre, një shtet kaq i madh me vra fukara të pambrojtur”.

Ajsheja argumentoi se banorët e mbledhur atu ishin njerëz të pafajshëm dhe se nuk duhej të
paguanin për një përplasje me të cilin nuk kishin lidhje. Me urtësi dhe vendosmëri, ajo
kërkoi që të mos derdhej gjak i personave të pafajshëm.

Ajo gjithashtu propozoi që fshati të organizonte roje nate, të njohura në atë kohë si
“devriye”, dhe që banorëve t’u lejohej mbajtja e armëve me leje për ruajtjen e rendit dhe
sigurisë lokale.

Sipas rrëfimit të ruajtur në kujtesën familjare dhe në atë të banorëve të zonës, ndërhyrja e
saj ndikoi që urdhri për ekzekutim të anulohej. Kështu, guximi i një gruaje u bë mburojë për
një fshat të tërë, duke shpëtuar jetën e rreth 350 banorëve të fshatit.

Pas kësaj ngjarje, fshati vazhdoi organizimin e rojeve lokale deri në periudhën para Luftës së
Dytë Botërore.

Sot, rruga “Ajshe Sekiraqa” në Bradash nuk është vetëm një emër në hartë. Ajo është një
kujtesë e gjallë e një gruaje që, në një nga momentet më të errëta, zgjodhi të mos heshtte.
Emri i saj mbetet simbol i urtësisë, trimërisë dhe forcës së fjalës, duke dëshmuar se
ndonjëherë një zë i vetëm mund të ndryshojë fatin e qindra njerëzve.

Shkruar nga: Lediona Hyseni
Autorja është studente e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark