Insajderi
Lajme

Apeli anulon aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore në Pejë ndaj Egzon Kelmendit, rasti kthehet në rigjykim

Insajderi
15 June 2026 - 14:24
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Apeli anulon aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore në Pejë ndaj Egzon Kelmendit, rasti kthehet në rigjykim
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesën e mbrojtjes së Egzon Kelmendit dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë të 3 shkurtit 2026, me të cilin ai ishte dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim unik dhe gjobë për veprat penale për të cilat akuzohej.

Sipas aktvendimit të Apelit, kolegji vlerësoi se aktgjykimi i shkallës së parë ishte përfshirë nga shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjendja faktike nuk ishte vërtetuar në mënyrë të plotë.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk kishte dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me provat mbi të cilat ishte bazuar për të konstatuar fajësinë e të akuzuarit. Sipas Apelit, nuk ishte vërtetuar në mënyrë të qartë identiteti i personit që shfaqej në incizimet e kamerave të sigurisë, mënyra e kryerjes së veprës, si dhe lidhja e drejtpërdrejtë ndërmjet të pandehurit dhe sendeve që pretendohej se ishin marrë.

Apeli i referohet edhe pretendimeve të mbrojtjes se gjatë procesit nuk ishin respektuar plotësisht dispozitat ligjore që rregullojnë identifikimin e personave, ndërsa shtron nevojën për një vlerësim më të plotë të provave gjatë rigjykimit.

Në aktvendim përmendet gjithashtu se gjykata e shkallës së parë nuk kishte analizuar në mënyrë të mjaftueshme deklaratat e dëshmitarëve dhe provat e administruara, duke lënë pa sqaruar disa kundërthënie që lidhen me rrethanat e rastit.

Kolegji i Apelit, i përbërë nga gjyqtarët Ferit Osmani, Mehmet Ndrecaj dhe Ali Kutllovci, ka vendosur ta kthejë çështjen në rigjykim pranë Gjykatës Themelore në Pejë, me udhëzim që gjatë procedurës së re të shqyrtohen dhe vlerësohen të gjitha provat në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Deri në marrjen e një vendimi të ri, ndaj të akuzuarit vazhdon të zbatohet masa e paraburgimit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark