Insajderi
Lajme

4.67 milionë euro për rrëshqitjet në ‘Ibrahim Rugova’ – Këto janë kompanitë fituese të tenderit të Ministrisë së Infrastrukturës

Insajderi
16 June 2026 - 14:32
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
4.67 milionë euro për rrëshqitjet në ‘Ibrahim Rugova’ – Këto janë kompanitë fituese të tenderit të Ministrisë së Infrastrukturës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Dimal Basha ka dhënë një tender në vlerë prej 4.67 milionë euro për sanimin e rrëshqitjeve të dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”. Dhënia e këtij tenderi vjen pas aksidentit me fatalitet ku humbi jetën një grua, në një nga zonat ku më herët janë raportuar edhe raste të tjera aksidentesh me pasoja fatale, si pasojë e rrezikut të krijuar nga dheu në rrugë.

Ministria e Infrastrukturës ka përzgjedhur operatorët ekonomikë që do të kryejnë punimet në tri lokacione të ndryshme, me një vlerë totale prej 4,673,997.88 euro.

Sipas të dhënave të kontratave, projekti është ndarë në tri lote, ndërsa përfitues janë kompani të ndryshme ndërtimore.

Përfituese e Lotit të parë janë kompanitë Arbotec SH.P.K. dhe Benita Company. Sipas të dhënave në ARBK, pronar i Arbotec SH.P.K. është Hektor Beqiri, ndërsa pronar i Benita Company është Hesen Kalludra.

Vlera e këtij loti është 2,087,952.94 euro.

Ky lot përfshin sanimin e rrëshqitjes në km 72.4 të autoudhës “Ibrahim Rugova”, ku do të kryhen ndërhyrje për stabilizimin e terrenit dhe largimin e problemeve të krijuara nga rrëshqitjet e dheut.

Përfitues të Lotit të dytë janë kompanitë ERST BAU SH.P.K., me pronar Brium Bytyqi, dhe EUROFAMIS SH.A., me pronar Ilir Bytyqi.

Vlera e kontratës është 1,187,080.09 euro.

Punimet do të realizohen në dy segmente të autoudhës, në km 69.1 dhe km 63.4, ku janë evidentuar probleme me stabilitetin e skarpatave.

Ndërsa Loti i tretë i është dhënë kompanisë ILEAA – GR SH.P.K., me pronar Ilir Veliqi.

Vlera e kontratës është 1,398,964.85 euro.

Ky lot parasheh sanimin e rrëshqitjes në km 44 të autoudhës, me ndërhyrje në terren për eliminimin e rrezikut dhe sigurimin e stabilitetit të skarpatës.

Sipas dokumenteve të kontratave, procedura është zhvilluar me 17 oferta të pranuara, ndërsa kontratat janë dhënë më 12 qershor 2026, me planifikim të nënshkrimit më 15 qershor 2026./Gazeta Insajderi/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark