Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kërkuar një marrëveshje politike mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për tejkalimin e situatës politike dhe zgjedhjen e Presidentit të vendit.
Haziri ka folur për nevojën e një marrëveshjeje politike “pako”, e cila sipas tij do të mundësonte daljen e vendit nga kriza dhe rikthimin e stabilitetit.
Sipas tij, Presidentja Vjosa Osmani do të tërhiqej nga kandidatura nëse emri i saj do të konsiderohej pengesë për arritjen e një marrëveshjeje.
“Kjo marrëveshje do të mundësonte që vendi t’i kthehet stabilitetit”, ka deklaruar Haziri në T7.
Ai ka thënë se, bazuar në procesin e bisedimeve, do të adaptohet edhe emri i përveçëm për postin e Presidentit.
“LDK as nuk e ka pas e as nuk e ka asnjë problem me emër të përveçëm. Nëse mendohet se znj. Osmani ka qenë apo mundet me qenë problem, unë ju siguroj edhe sot që vetë ajo ka konfirmu që nuk është emri i saj problem në arritjen e një marrëveshje bashkëpunimi mes partive politike për t’i dhënë vendit stabilitet”, ka shtuar Haziri.