Anglia e ka nisur me fitore rrugëtimin e saj në Kupën e Botës, duke triumfuar ndaj Kroacisë me rezultat 4-2. Megjithatë, përveç suksesit në fushë, “Tre Luanët” paraqitën edhe një ndryshim të rëndësishëm në fanellat e tyre, i cili kaloi pothuajse pa u vënë re nga shumica e tifozëve.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, me Harry Kane që realizoi nga pika e bardhë. Kroacia reagoi shpejt përmes Martin Baturinës, por Kane riktheu avantazhin për anglezët me një gol me kokë pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Declan Rice. Në fund të pjesës së parë, Petar Musa barazoi sërish shifrat.
Në pjesën e dytë, Anglia dominoi plotësisht takimin. Golat e Jude Bellingham dhe Marcus Rashford vulosën fitoren 4-2 në ndeshjen hapëse të Grupit L.
Përveç rezultatit, vëmendje mori edhe fanella e përditësuar e kombëtares angleze. Në ndeshjet përgatitore para Kupës së Botës, numrat e lojtarëve ishin vendosur poshtë logos së Nike në anën e djathtë të gjoksit, gjë që kishte shkaktuar konfuzion te tifozët, pasi fotografitë promocionale i shfaqnin ata në qendër të fanellës.
Për përballjen ndaj Kroacisë, Federata Angleze e Futbollit riktheu numrat në pjesën qendrore të fanellës, ashtu siç ishte planifikuar fillimisht dhe siç përdoret edhe në fanellën e kuqe mysafire.
Anglia mund të luajë një ndeshje shtesë në Botëror
Ndërkohë, Anglia mund të bëhet kombëtarja e parë që zhvillon një ndeshje shtesë gjatë një Kampionati Botëror.
Sipas raportimeve, “Tre Luanët” janë në bisedime për të zhvilluar një miqësore ndaj Sporting Kansas City mes ndeshjeve kundër Kroacisë dhe Ganës.
Trajneri Thomas Tuchel konfirmoi se ideja ka për qëllim t’u japë minuta lojtarëve që kanë pasur më pak hapësira gjatë turneut.
“Është e vërtetë që po përpiqemi të organizojmë një ndeshje të brendshme pas sfidës me Kroacinë. Kemi shumë ditë ndërmjet ndeshjeve dhe duam që lojtarët që nuk kanë luajtur shumë të marrin ngarkesë reale ndeshjeje. E bëmë këtë pas ndeshjes me Kosta Rikën dhe besoj se do ta bëjmë edhe një herë pas sfidës me Kroacinë”, deklaroi Tuchel.