Nënkryetari i LDK-së dhe ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj qeverisjes komunale në Gjilan, të udhëhequr nga kryetari Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Haziri ka akuzuar pushtetin e Hysenit për keqmenaxhim dhe mungesë të projekteve zhvillimore, duke thënë se Bulevardi “Ibrahim Rugova” dhe hapësirat e tij të gjelbra janë “masakruar” pa leje, pa plan urban dhe pa plan zhvillimor.
“Bulevardi Ibrahim Rugova, me mushkëritë e tij, u masakrua pa leje, pa plan urban dhe pa plan zhvillimor, e tash e pesë vite pa mundësi të zonimit. Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë”, ka shkruar Haziri.
Ai ka akuzuar udhëheqjen komunale se po e trajton komunën si “çiflig”, ndërsa ka numëruar një sërë projektesh që, sipas tij, kanë mbetur të papërfunduara gjatë mandatit aktual.
Sipas Hazirit, nuk është vazhduar autostrada, nuk është përfunduar stadiumi i qytetit dhe nuk janë realizuar projektet infrastrukturore në drejtim të Prishtinës, Kllokotit dhe Kumanovës.
Po ashtu, ai ka thënë se nuk po punohet në kolektorët dhe impiantin e trajtimit, ndërsa ka akuzuar pushtetin lokal për dëmtimin e Parkut të Gjilanit.
Ish-kryetari i komunës ka deklaruar se projektet e nisura gjatë qeverisjes së tij kanë siguruar 178 milionë euro financim nga institucionet financiare ndërkombëtare, por sipas tij, mungesa e dijes dhe vullnetit për t’i zbatuar ato po e pengon zhvillimin e qytetit.
“Projektet e Lutës, që japin zgjidhje sistemore dhe e ngrejnë Gjilanin në një nivel të ri zhvillimor, kanë siguruar 178 milionë euro financim nga institucionet financiare ndërkombëtare. Fatkeqësisht, mungesa e dijes dhe e vullnetit për t’i zbatuar po i mban këto projekte peng dhe po e privon Gjilanin nga zhvillimi që meriton”, ka thënë Haziri. /Insajderi.org/