Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Rrogozhinë të Shqipërisë, ku një 25-vjeçar dyshohet se ka goditur me thikë fqinjin e tij 60-vjeçar, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën.
Sipas njoftimit të Policisë, reagimi i menjëhershëm i shërbimeve policore ka bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit, i cili dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, ku janë përdorur mjete prerëse, ka plagosur rëndë 60-vjeçarin.
Njoftimi i policisë:
“Rreth orës 21:50, në lagjen ‘Mollaj’, Rrogozhinë, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta mes shtetasve M. M., rreth 25 vjeç, dhe Rr. M., rreth 60 vjeç, fqinjë me njëri-tjetrin, ku u përdorën mjete prerëse, shtetasi Rr. M. u plagos rëndë dhe më pas humbi jetën, ndërsa shtetasi M. M. u dëmtua lehtë në dorë.”
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje dhe, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar autorin e dyshuar, shtetasin M. M.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.