Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar hapjen e procesit për zgjedhje të reja brenda partisë.
Gashi ka thënë se, në rastet kur një parti nuk arrin të fitojë mbështetjen e qytetarëve, fokusi nuk duhet të jetë te gjetja e fajtorëve, por te analizimi i situatës dhe gjetja e zgjidhjeve.
“Kur mungon suksesi, duhet të mbizotërojë arsyeja mbi emocionin, institucioni mbi individin dhe interesi i LDK-së e i Kosovës mbi çdo interes personal”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ai ka theksuar se zgjedhjet brenda LDK-së nuk janë problem, por zgjidhje për të rikthyer legjitimitetin, besimin dhe energjinë politike.
“As LDK-së e as Kosovës nuk i shkon për shtat vendi i tretë. Kjo nuk mund të bëhet normalitet. Anëtarësia, strukturat dhe elektorati ynë kërkojnë më shumë: një LDK që fiton, qeveris dhe udhëheq me vizion”, është shprehur Gashi.