Aston Villa ka vendosur një çmim rekord prej 130 milionë paundësh për Morgan Rogers, ndërsa interesi nga Arsenali dhe Chelsea për yllin anglez vazhdon të rritet.
Sipas The Telegraph, drejtuesit e Aston Villas ua kanë bërë të qartë të gjitha klubeve të interesuara se Morgan Rogers nuk do të largohet nga “Villa Park” për më pak se 130 milionë paund.
Nëse realizohet një transferim me këtë vlerë, Rogers do të bëhej lojtari britanik më i shtrenjtë në histori, duke kaluar rekordin aktual prej 125 milionë paundësh, të vendosur nga Liverpooli me transferimin e Alexander Isak verën e kaluar.
Aston Villa beson se Morgan Rogers ka një vlerë më të madhe se Elliot Anderson, i cili u transferua te Manchester City për 116 milionë paund.
Klubi argumenton se 23-vjeçari ka më shumë përvojë me kombëtaren angleze, ndërsa ka dëshmuar vazhdimësi edhe në garat evropiane.
Një tjetër arsye që ka ndikuar në rritjen e çmimit është marrëveshja me Middlesbrough, i cili ruan 20 për qind të fitimit nga një transferim i ardhshëm i lojtarit, pas shitjes së tij në vitin 2024.
Morgan Rogers mbetet një nga objektivat kryesorë të Mikel Artetës në këtë afat kalimtar.
Trajneri i Arsenalit synon të shtojë cilësi në repartin ofensiv dhe e sheh reprezentuesin anglez si përforcimin ideal për sezonin e ri.
Megjithatë, me kontratën e Rogers që është e vlefshme deri në vitin 2031, Aston Villa nuk ndjen asnjë presion për ta shitur, duke e vendosur Arsenalin përballë një vendimi të vështirë nëse dëshiron të përmbushë kërkesat financiare të klubit.
Sipas raportimeve, trajneri i Aston Villas, Unai Emery, vazhdon të jetë një admirues i madh i Gabriel Martinellit, me të cilin ka punuar gjatë periudhës kur drejtonte Arsenalin.
Braziliani mund të përfshihet në diskutimet mes dy klubeve për një marrëveshje të mundshme, megjithëse paga e tij e lartë mund ta komplikojë transferimin.
Ndërkohë, edhe Chelsea mbetet në garë për Morgan Rogers, duke e bërë sulmuesin anglez një nga emrat më të kërkuar të kësaj merkatoje.