Policia e Kosovës ka arritur të godasë një rast të trafikimit dhe shitjes së paautorizuar të armëve dhe materialeve plasëse në rajonin e Podujevës, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme armatimi dhe duke vënë në pranga një person.
Sipas raportit zyrtar, aksioni ka nisur pas pranimit të informatave operative, të cilat çuan në kontrollin e një porosie të dërguar përmes një agjencie turistike.
Operacioni i policisë u zhvillua në dy faza, ku fillimisht u kontrollua dërgesa e dyshimtë dhe më pas u realizua një bastisje në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve.
Në cilësinë e provave materiale u gjetën: 4 armë zjarri të llojit AK-47, 9 karikatorë, 262 fishekë dhe tri pjesë të AK-47 dhe një kondak pushke prej druri (të gjetura gjatë bastisjes në shtëpi) si dhe dy dritare plastike (të cilat dyshohet se u përdorën për fshehjen e armatimit)
Pas veprimeve intensive hetimore, më 2 korrik, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion dy persona të gjinisë mashkullore, shtetas kosovarë, për intervistim dhe procedura të mëtejshme.
“Me vendim të prokurorit kompetent, pas përfundimit të intervistimit, njëri nga personat e shoqëruar është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë,” njofton Policia.
Rasti po trajtohet nën veprën penale “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.