Nëse keni ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës gjatë ditëve të fundit, me siguri keni vënë re një detaj të pazakontë te shumë futbollistë.
Një numër i madh lojtarësh kanë hapur vrima në pjesën e pulpave të çorapeve të tyre, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me teori se ky veprim i ndihmon të vrapojnë më shpejt, të shmangin ngërçet apo të përmirësojnë qarkullimin e gjakut. Por çfarë thotë shkenca për këtë praktikë?
Përgjigjja është shumë më e thjeshtë sesa mund të mendohet.
Çorapet e futbollit janë të dizajnuara për t’u përshtatur fort me këmbën. Ato kanë funksionin të mbajnë mbrojtëset në vend, të ofrojnë mbështetje për kyçin dhe këmbën, si dhe të zvogëlojnë lëvizjen e këmbës brenda këpucës, duke rritur stabilitetin gjatë lojës. Për këtë arsye prodhohen nga materiale elastike sintetike si poliesteri, najloni dhe elastani.
Megjithatë, gjatë një ndeshjeje intensive, muskujt e pulpës zgjerohen përkohësisht me çdo sprint, kërcim apo ndryshim drejtimi. Për disa lojtarë, çorapet e ngushta krijojnë ndjesi presioni, shpimi gjilpërash apo mpirjeje.
Për ta lehtësuar këtë ndjesi, shumë futbollistë marrin një palë gërshërë dhe bëjnë disa prerje në pjesën e pasme të çorapes, duke ulur presionin mbi muskulin.
Pavarësisht bindjes së përhapur mes futbollistëve, deri më tani nuk ka prova shkencore që prerja e çorapeve përmirëson performancën apo zvogëlon rrezikun e lëndimeve.
Madje, studime të shumta mbi veshjet kompresuese tregojnë se çorapet kompresuese të dizajnuara siç duhet mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit të muskujve pas një sforcimi intensiv dhe të përshpejtojnë rikuperimin.
Kjo do të thotë se nuk ekzistojnë prova që çorapet e prera janë fiziologjikisht më të dobishme sesa ato të paprerat.
Sipas mjekëve sportivë, arsyeja është kryesisht psikologjike.
Nëse një futbollist ndien se çorapet e tij janë shumë të ngushta dhe e kufizojnë, prerja e tyre mund t’i krijojë ndjesinë e lirisë dhe rehatisë më të madhe. Edhe nëse nuk ka ndonjë ndryshim real në performancë, kjo ndjenjë subjektive mund të rrisë besimin e lojtarit gjatë ndeshjes.
Pikërisht për këtë arsye, dy futbollistë që mbajnë të njëjtën uniformë mund ta përjetojnë ndryshe përdorimin e çorapeve.
Edhe pse kjo praktikë ka tërhequr sërish vëmendje gjatë Kupës së Botës 2026, ajo nuk është aspak e re.
Futbollistët kanë vite që i presin çorapet e tyre, ndërsa raste të tilla janë parë edhe në Kampionatet Evropiane, Lojërat Olimpike dhe në kampionate të shumta vendase.
Madje, disa prodhues të pajisjeve sportive po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një dizajni të ri të çorapeve, që t’u ofrojë lojtarëve të njëjtën ndjesi rehatie pa qenë nevoja t’i presin ato.
Edhe pse çorapet me vrima mund të duken të pazakonta, rregullat e futbollit nuk e ndalojnë këtë praktikë.
Kushti i vetëm është që pajisjet të jenë të sigurta për lojë dhe mbrojtëset e kërcinjve të mbulohen siç duhet.
Për këtë arsye, vrimat në çorape pritet të vazhdojnë të jenë një pamje e zakonshme edhe në skenat më të mëdha të futbollit. Dhe, sado të çuditshme të duken, shkenca sugjeron se efekti i tyre më i madh është në mendjen e lojtarit, jo në muskujt e tij.