Një parcelë e rrethuar në Përqevë të Klinës ishte kthyer, sipas Prokurorisë, në bazën e një operacioni të organizuar për kultivimin e kanabisit. Aktakuza e re zbardh detaje për bashkëpunimin mes gjashtë personave nga Kosova dhe Shqipëria, pagesat e kryera përmes Western Union dhe komunikimet që dyshohet se lidhnin anëtarët e grupit. Hetuesit pretendojnë se organizatorët kishin ndarë rolet nga financimi dhe sigurimi i logjistikës, deri te ruajtja e plantacionit gjatë natës. Gjatë aksionit policor të gushtit 2024, sipas dosjes, pati shkëmbim zjarri me armë të gjata dhe një pjesë e të dyshuarve tentuan të largoheshin nga vendi i ngjarjes. Përveç akuzës për kultivim të drogës, beteja e radhës pritet të zhvillohet edhe rreth pasurisë që prokuroria kërkon ta marrë nën konfiskim, përfshirë tokë, shtëpi dhe vetura luksoze.
Visar Duriqi
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë më 29 qershor 2026 për rastin e madh të zbulimit të plantacionit të kanabisit në fshatin Përqev të Klinës.
Gazeta Insajderi, e cila kishte raportuar më herët për arrestimet e këtij grupi, sjell tani detajet ekskluzive nga dosja e aktakuzës. Aty zbardhet skema e plotë e bashkëpunimit mes tre shtetasve të Kosovës dhe tre shtetasve të Shqipërisë, rolet e tyre të ndara me precizitet, financimi përmes transaksioneve të Western Union, e deri te momenti dramatik i ndërhyrjes policore ku pati edhe të shtëna me armë të gjata.
Sipas aktakuzës së deponuar në Gjykatën Themelore në Pejë nga Prokurori i Krimeve të Rënda, Ersan Qavolli, shteti i ngarkon gjashtë persona për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” si anëtarë të një grupi të organizuar:
Gzim Gashi i lindur në vitin 1985, nga fshati Përqev i Klinës – i cilësuar si recidivist, i cili ka qenë në paraburgim deri më 12 gusht 2025 dhe tani mbrohet në liri.
Faik Gashi, lindur në vitin 1999, nga fshati Përqev i Klinës – i cili fillimisht ishte në paraburgim e më pas në arrest shtëpiak, ndërsa tani mbrohet në liri.
Selim Gashi i lindur në vitin1990, nga fshati Cerovik i Klinës – po ashtu i njohur si recidivist, i cili aktualisht mbrohet në liri.
Silver Qibini i lindur në vitin 1988, në Tepelenë, Shqipëri – shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili u arrestua në vendngjarje dhe u mbajt në paraburgim deri në gusht të vitit 2025.
Marglen Çomani i lindur në vitin 1986, në Shqipëri – i arrestuar fillimisht në Shqipëri me qëllim ekstradimi, i mbajtur në paraburgim në Kosovë dhe i liruar më pas me masën e dorëzanisë.
Albion Kalemi i lindur në vitin 1988, në Shqipëri – i cili pas procedurave të ekstradimit aktualisht gjendet në masën e paraburgimit, e cila i është vazhduar deri më 9 gusht 2026.
Plantacioni në livadh dhe rolet e ndara me precizitet
Veprimtaria kriminale dyshohet se u zhvillua nga muaji maj 2024 deri më 10 gusht 2024 në fshatin Përqev të Klinës, saktësisht në vendin e quajtur “Livadhi i Trupës”.
Grupi shfrytëzoi një parcelë të trashëguar me sipërfaqe të përgjithshme prej 6,422 metrash katrorë (në shfrytëzim të vëllezërve Gzim dhe Faik Gashi), duke e rrethuar atë plotësisht me tela për të fshehur plantacionin.
Dosja zbulon një ndarje mjaft të strukturuar të punëve dhe një organizim të mirëfilltë ndërshtetëror:
I pandehuri Marglen Çomani kishte rolin e financuesit të plantacionit. Ai i dërgoi Gzim Gashit përmes “Ëestern Union” tri dërgesa monetare gjatë verës së vitit 2024: 1,500 euro më 10 qershor, 1,000 euro më 12 qershor dhe 750 euro më 23 korrik.
Selim Gashi kujdesej për logjistikën duke sjellë vazhdimisht pleh për tokë me një traktor. Më pas, së bashku me shtetasit nga Shqipëria (Silverin, Marglenin dhe Albionin), ata e thyen tokën me traktor dhe fillimisht i mbollën 960 bimët e marihuanës në tasa të vegjël, para se t’i transferonin në plantacionin e hapur.
Shtetasit nga Shqipëria (Silver Qibini, Marglen Çomani dhe Albion Kalemi) ishin “punëtorët” fizikë që qëndronin në lokacion. Ata bënin roje gjatë natës për të siguruar parcelën dhe gjatë ditës bënin ujitjen e bimëve me qëllim që t’i rritnin ato për tharje.
Vëllezërit Gashi dhe Selim Gashi kujdeseshin që t’u sillnin ushqim, pleh dhe gjëra të tjera të nevojshme personave që qëndronin në plantacion.
Të shtënat me armë të gjata ndaj Policisë
Më 10 gusht 2024, planet e grupit u ndërprenë nga ndërhyrja e Policisë së Kosovës. Zyrtarët policorë kishin vëzhguar nga larg pronën e rrethuar dhe kishin identifikuar llojin e narkotikut.
Në ditën e ndërhyrjes, në vendngjarje u vërejtën 3 persona. Sapo të dyshuarit kanë vërejtur praninë e forcave të rendit, ata nuk janë dorëzuar menjëherë, por kanë shtënë me armë të gjata në drejtim të policisë.
Gjatë këtij aksioni dramatik, policia arriti ta arrestojë në vend vetëm Silver Qibinin, ndërsa dy personat e tjerë arritën të arratiseshin në atë moment përmes fshatit. Në plantacion u sekuestruan saktësisht 960 bimë të llojit mariuanë.
ADN-ja në shishe të birrës e kapele dhe mesazhet e fshira
Prokuroria ka ndërtuar një rrjet të fuqishëm të provave shkencore dhe teknologjike që vërtetojnë praninë dhe komunikimin e të akuzuarve:
Nga ekzaminimet laboratorike të Forenzikës, në një shishe qelqi të birrës “Peja” të gjetur në plantacion u zbulua profili i ADN-së që përputhet plotësisht me të akuzuarin Selim Gashi. Po ashtu, në një kapele të gjetur aty u zbulua një profil i përzier ADN-je, ku Marglen Çomani rezulton të jetë kontribuuesi kryesor dhe ku nuk përjashtohet as Faik Gashi. Gjithashtu, profile të tjera të ADN-së u siguruan nga filterat e cigareve dhe pallomat e lëna në vendngjarje.
Nga ekzaminimi i telefonave të sekuestruar u zbuluan komunikime kyçe. Në rrjetin social “ËhatsApp” u dokumentuan biseda mes Gzim Gashit dhe Silver Qibinit, ku ky i fundit e njoftonte Gzimin se “kanë ardhur tre fëmijë të fshatit afër plantacionit”. Edhe pse Gzim Gashi ishte përpjekur t’i fshinte mesazhet e tij (përmes opsionit unsend), struktura e bisedës mbeti e qartë për hetuesit.
Në telefonin iPhone 15 të Marglen Çomanit u gjetën komunikime (thirrje) me Faik Gashin pikërisht më 10 gusht 2024, ekzaktesisht në ditën kur Policia e Kosovës ndërhyri në plantacion.
Një nga pjesët më interesante të dosjes së prokurorisë, e cila mbështetet në Folderin III të provave, janë transkriptet e komunikimeve telefonike dhe përgjimeve të zbatuara me urdhër të gjykatës.
Nga këqyrja e telefonit Samsung Galaxy A045 të sekuestruar nga i akuzuari Silver Qibini, ka rezultuar se më datë 17 qershor 2024, ai kishte zhvilluar një bisedë me video në rrjetin social “Messenger” me një person të identifikuar si Armando Hiraj nga Shqipëria.
Në këtë bisedë, Qibini shfaqet i shqetësuar për ecurinë e drogës. Ai i dërgon foto të fidanëve të mbjellë në Përqevë dhe i ankohet Hirajt se “fidanët nuk janë duke ecur mirë” dhe se “janë duke u tharë e duke u prishur”, duke kërkuar këshilla profesionale se si të veprohej për të shpëtuar plantacionin.
Gjatë operacionit të bastisjes më 10 gusht 2024, të akuzuarit ishin përpjekur të asgjësonin provat. I pandehuri Faik Gashi kishte thyer plotësisht telefonin e tij iPhone 13 për të mos lejuar policinë të hynte në bisedat e tij, por kjo nuk e kishte penguar forenzikën që të mblidhte dëshmi të mjaftueshme nga rrjeti i gjerë. Policia po ashtu sekuestroi një makinë xhip Suzuki (të cilën Gzim Gashi ia kishte dërguar grupit nga Shqipëria për të kryer punë e për të blerë hargj), si dhe makina të luksit si Audi A7 dhe Porsche Panamera.
Recidivistë dhe me dhjetëra raste
Një nga shtyllat kryesore mbi të cilën Prokuroria Themelore në Pejë ka ndërtuar aktakuzën e saj, duke kërkuar dënime të ashpra në Gjykatë, është dosja penale dhe e kaluara e errët e të akuzuarve vendas nga Klina. Dokumenti zyrtar i prokurorisë, të cilin e posedon Insajderi.org, zbulon se pjesa dërrmuese e shtetasve nga Kosova që ranë në pranga për plantacionin me 960 bimë kanabisi në fshatin Përqevë, nuk janë emra të panjohur për organet e ndjekjes penale. Përkundrazi, ata rezultojnë të jenë përsëritës të veprave penale (recidivistë) dhe persona me një historik të gjatë të përplasjeve me ligjin.
Nga verifikimi i hollësishëm që hetuesit e Policisë së Kosovës kanë bërë në databazën qendrore të të dhënave, janë zbuluar dosje të hapura për falsifikime dhe dhjetëra raste të tjera ku të pandehurit janë skeduar si të dyshuar.
Sipas të dhënave zyrtare të specifikuara në faqet përmbyllëse të aktakuzës, i pandehuri Selim Gashi (i lindur në vitin 1990, nga fshati Cerovik i Klinës) mban peshën më të madhe sa i përket listës së rasteve në polici.
Në informacionet zyrtare të nxjerra nga sistemi i Policisë së Kosovës dhe të bashkëngjitura në dosjen e prokurorisë, ceket se ky person është i regjistruar dhe i dyshuar në plot 9 raste penale të ndryshme. Edhe pse në këtë fazë të aktakuzës prokuroria nuk ka renditur taksativisht llojet e të gjitha këtyre nëntë veprave, ky numër i madh i rasteve e pozicionon atë si një element me rrezikshmëri të lartë dhe përsëritës të vazhdueshëm të aktiviteteve të kundërligjshme.
Ky historik ka shërbyer si alarm për njësitet antidrogë për të monitoruar lëvizjet e tij, ku i njëjti u zbulua se luante rolin e logjistikut kryesor të plantacionit, duke thyer tokën dhe duke transportuar pleh artificial me traktor për llogari të grupit.
Faik Gashi: Dy dosje të hapura për falsifikim të dokumenteve
Për të akuzuarin tjetër, Faik Gashi (i lindur në vitin 1999, banues në Dresnik të Klinës), databaza e Policisë së Kosovës ka nxjerrë në dritë dy raste specifike të cilat lidhen me mashtrimin dhe manipulimin e dokumentacionit zyrtar. Hetuesit kanë arritur të identifikojnë numrat e saktë të referencës së këtyre rasteve që rëndojnë mbi të:
Faik Gashi figuron si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Kjo vepër penalizon personat të cilët në dokumente zyrtare, regjistra apo libra shënojnë të dhëna të rreme ose nuk shënojnë të dhënat e duhura, gjë që tregon një prirje të hershme të të akuzuarit për manipulim me institucionet apo organet shtetërore.
Ky rast është i regjistruar rishtazi, pikërisht në vitin e zhvillimit të plantacionit, dhe lidhet me veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 i KPRK-së. Kjo lloj vepre nënkupton përpilimin e dokumenteve të rreme apo ndryshimin e dokumenteve origjinale me qëllim të përdorimit të tyre si legjitime.
Këto dy dosje shpërfaqin profilin e një personi që ka pasur eksperiencë në fshehjen e gjurmëve përmes letrave, gjë që përkon edhe me faktin se gjatë bastisjes së policisë në plantacion, Faik Gashi e kishte thyer plotësisht telefonin e tij iPhone 13 për të asgjësuar bisedat dhe për të vështirësuar hetimin.
Për sa i përket të akuzuarit Gzim Gashi (i lindur në vitin 1985, nga fshati Përqev, me banim në rr. “Qyteti Antik” në Klinë), prokuroria ka qenë edhe më e prerë.
Që në fjalët e para të aktakuzës, ku prezantohen të dhënat personale të të gjithë të pandehurve (gjenealitetet), prokurori i shtetit e ka vulosur statusin e tij me termin e rëndë ligjor: “recidivist”.
Në pjesën e arsyetimit të aktakuzës, Prokuroria Themelore në Pejë i ka bërë të qarta rregullat e lojës përballë trupit gjykues. Ky historik i ngarkuar kriminal nuk do të kalojë në heshtje, por do të ketë implikime direkte në matjen e dënimit:
Për të gjithë ata anëtarë të grupit të cilët refuzojnë të pranojnë fajësinë dhe zgjedhin të zvarrisin procesin gjyqësor, prokuroria ka specifikuar se kjo e kaluar e bujshme penale, statusi i recidivizmit dhe numri i madh i rasteve të mëparshme në polici, do të përdoren si rrethanë rënduese. Kjo do të thotë se prokurori do të kërkojë që gjykata t’u shqiptojë atyre dënime afër maksimumit të paraparë me ligj për kultivim të drogës në kuadër të grupit të organizuar.
Prokuroria ka bërë një ndarje të qartë në dokument. Për aq sa do të merret si rrethanë lehtësuese gatishmëria dhe pranimi i fajësisë nga ana e disave prej të pandehurve në faza të caktuara, për pjesën tjetër të grupit që rëndohet nga dosjet policore, e kaluara do të jetë pengesa kryesore për të fituar ndonjë lloj zbutjeje të dënimit nga ana e gjyqtarit të çështjes.
Kjo dosje e Policisë dhe Prokurorisë dëshmon se grupi që ngriti plantacionin e kanabisit në Klinë nuk ishte një grup amatorësh që provuan fatin për herë të parë, por një rrjet i mirëfilltë ku elementet vendase kishin përvojë të gjatë kriminale dhe njihnin terrenin, ndërsa shtetasit e Shqipërisë sollën mbështetjen financiare dhe logjistike operative.
Pasuria e dyshimtë dhe veturat luksoze Hetimi i Prokurorisë Themelore në Pejë për plantacionin e kanabisit në fshatin Përqevë të Klinës nuk është ndalur vetëm te zbulimi i 960 bimëve narkotike dhe prangosja e të dyshuarve. Shtylla më e rëndësishme e kësaj aktakuze, e cila synon të shkatërrojë plotësisht këtë rrjet transkufitar, është hetimi i gjerë financiar. Dosja ekskluzive që posedon Insajderi.org zbardh kërkesën agresive të Prokurorit të Shtetit drejtuar Gjykatës Themelore në Pejë për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme të familjes Gashi, e cila dyshohet se u vë në shërbim të krimit ose u krijua përmes parave të pista.
Në qendër të kësaj kërkese është një sipërfaqe prej rreth 70 ari tokë (saktësisht 6,422 metra katrorë), një kompleks prej tri shtëpish identike dykatëshe të ngritura pa mbulesë financiare, shuma parash “cash” dhe një flotë veturash luksoze që përdoreshin nga anëtarët e grupit.
Livadhi prej rreth 70 ari si epiqendra e plantacionit të drogës dhe veturat luksoze
Pjesa kryesore e pasurisë për të cilën prokuroria ka kërkuar konfiskim permanent dhe të pakthyeshëm është parcela ku u ngrit laboratori i hapur i marihuanës. Sipas dokumentacionit kadastral të specifikuar në aktakuzë, bëhet fjalë për katër ngastra të ndryshme kadastrale të ndodhura në Zonën Kadastrale në Përqevë të Klinës, në vendin e quajtur “Livadhi i Trupës”:
Parcela e trashëguar ka një shtrirje të përgjithshme prej 6,422 m² (mbi 64 ari, e rrethuar si një bllok unik prej afër 70 ari).
Kjo tokë figuron në shfrytëzim dhe pronësi të vëllezërve Gzim dhe Faik Gashi.
Prokuroria ka aplikuar nenet e Kodit Penal që rregullojnë konfiskimin e mjeteve të përdorura për kryerjen e veprës penale. Meqenëse kjo hapësirë e madhe u rrethua qëllimisht me tela, u thye me traktor, u plehërua dhe u përdor ekskluzivisht si terren për kultivimin e 960 bimëve të kanabisit, shteti ligjor kërkon që kjo tokë t’u merret përgjithmonë nga dora të akuzuarve dhe të kalojë në pronësi publike.
Hetuesit kanë argumentuar se rrethimi i kësaj sipërfaqeje kaq të madhe kërkonte investim të konsiderueshëm dhe izolim të plotë, duke e kthyer pronën e trashëguar prindërore në një zonë të pastër industriale të trafikimit të substancave narkotike.
Hetimi financiar i shtrirë nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Agjencia Kadastrale, ka zbuluar një tjetër detaj që ka ngritur dyshime të mëdha për pastrim parash.
Në Zonën Kadastrale Dresnik, pikërisht në rrugën “Qyteti Antik” në Klinë, vëllezërit Gashi kanë blerë ngastra toke mbi të cilat janë ndërtuar tri shtëpi identike dykatëshe, secila me një sipërfaqe të përafërt prej 150 metrash katrorë.
Shtëpia e parë figuron e regjistruar në emër të të akuzuarit kryesor, Gzim Gashi. Shtëpia e dytë është ndërtuar në emër të vëllait të tyre, Fatmir Gashi.
Shtëpia e tretë, një ndërtim i ri, i cili në momentin e bastisjeve dhe ngritjes së aktakuzës ende nuk ishte regjistruar në faturat e tatimit në pronë, por që ndjek të njëjtën arkitekturë dhe strukturë të dy të parave.
Nga raportet zyrtare të ATK-së të përfshira në Folderin e provave financiare, rezulton se as Gzim Gashi, as Faik Gashi dhe as familjarët e tyre të afërt nuk kanë pasur të hyra të ligjshme financiare të deklaruara, biznese aktive apo fitime legjitime që do të arsyetonin blerjen e trojeve dhe ndërtimin e njëkohshëm të tri shtëpive luksoze dykatëshe.
Prokuroria pretendon se ky kompleks banimi është ngritur përmes fondeve të siguruara nga aktiviteti i organizuar kriminal, përfshirë edhe injektimet financiare që vinin nga jashtë vendit. Gjatë bastisjeve në shtëpinë e Fatmir Gashit, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe shuma parash të gatshme (cash), të cilat po ashtu janë pjesë e kërkesës për konfiskim.
Skema e fshehjes në emër të motrës dhe shokëve
Përveç tokës dhe shtëpive, prokurori i çështjes ka kërkuar nga Gjykata e Pejës konfiskimin e tri automjeteve, të cilat kapin vlera të larta tregtare dhe që dyshohet se u blenë apo u shfrytëzuan direkt për nevojat e grupit kriminal.
Edhe këtu, skema e përdorur ishte ajo e fshehjes së pronësisë reale përmes personave të tretë:
Audi A7 Quattro: Një veturë luksoze e cila në dokumente figuron e regjistruar në emër të motrës së të akuzuarve. Mirëpo, nga ndjekja në terren dhe deklaratat e mbledhura, vetura shfrytëzohej në mënyrë të rregullt nga vëllezërit Gashi. Hetuesit kanë sekuestruar edhe dokumentet e një kredie në emër të motrës, për të parë nëse ajo ishte thjesht një mbulesë formale për të arsyetuar blerjen e mjetit luksoz.
Porsche Panamera është një tjetër veturë e sekuestruar në kuadër të këtij operacioni. Nga dëshmitë e siguruara gjatë hetimit, kjo veturë luksoze ishte marrë në posedim nga familja Gashi përmes një transaksioni të dyshimtë të “ndërrimit me tokë”, pa kontrata të rregullta dhe pa mbulesë mbi prejardhjen e vlerës së mjetit.
Xhipi Suzuki Jimny , edhe kjo veturë e kapur gjat operacionit, ndonëse me vlerë më të ulët se dy të parat, kishte rolin më kyç në aktivitetin e kultivimit. Figuron e regjistruar në emër të shtetasit Pajtim Etemi (i cili është ftuar si dëshmitar në proces), por hetimi ka provuar se xhipi përdorej ekskluzivisht nga Gzim Gashi dhe tre shtetasit e Shqipërisë (Silver Qibini, Marglen Çomani dhe Albion Kalemi). Ishte pikërisht ky xhip që futej në rrugët e thyera të fshatit Përqevë për të dërguar ushqim, ujë, fidanë dhe pleh artificial te “Livadhi i Trupës”.
Në kërkesën përfundimtare të aktakuzës, prokurori ka argumentuar se lënia e këtyre pasurive në duart e të akuzuarve do të nënkuptonte lejimin e gëzimit të produkteve të krimit.
Mbështetur në nenin 234 dhe 236 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, prokuroria i ka kërkuar Gjykatës që: Të shpallë konfiskimin e parcelave prej rreth 70 ari në Përqevë si “mjete të përdorura për kryerjen e veprës penale”.
Të konfiskojë tri shtëpitë dykatëshe dhe veturat Audi A7, Porsche Panamera e Suzuki Jimny si “pasuri e fituar me anë të veprës penale”, meqenëse ekziston një disproporcion i jashtëzakonshëm mes pasurisë reale të familjes Gashi dhe të hyrave të tyre zyrtare në ATK.
Ky kapitull i aktakuzës dëshmon se procesi gjyqësor në Pejë nuk do të jetë vetëm një betejë për vite burgimi ndaj gjashtë të akuzuarve, por do të jetë një luftë e ashpër ligjore për miliona euro pasuri që shteti pretendon se u ngritën mbi biznesin e kanabisit në Klinë. /Gazeta Insajderi