Komuna e Prishtinës kishte ndarë mbi 1,2 milion euro më shumë për kompaninë e oligarkut të Edi Ramës, Salillarin, pas procedurave tenderuese për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet.
Të paktën, kështu u tha në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Sipas ZKA’së, “Salillari” kishte dorëzuar një ofertë me gabime të mëdha aritmetike, të cilat u injoruan nga komisioni vlerësues i ofertave të tenderit, shkruan Gazeta Insajderi.
Kontrata fillimisht u nënshkrua në vlerën prej 18,162,896€. Megjithatë, gjatë analizës së ZKA’së, është vërejtur se në paramasën dhe parallogarinë e ofertës kishte gabime në përllogaritjen e nëntotaleve, pasi nuk ishin përfshirë dy pozicione kyçe:
Pozicioni 11 “Punët e strukturës së Katedrales” në kuadër të Sheshit Katedralja 01, në vlerë prej 1,176,403 euro dhe pozicioni 11 “Punët e fontanës” në kuadër të Sheshit të Koncerteve 05, në vlerë prej 103,056 euro.
Si pasojë e këtyre lëshimeve, vlera reale e ofertës pas përfshirjes së këtyre pozicioneve rezulton të jetë 19,442,355€, apo saktësisht 1,279,459 euro më shumë sesa shuma e paraparë në realizimin e projektit.
Ligji dhe rregulloret në fuqi përcaktojnë qartë se gabimet aritmetike lejohen vetëm brenda një kufiri. Në këtë rast, diferenca e identifikuar përfaqëson rreth 7% të vlerës së ofertës, duke e kaluar dukshëm “pragun e lejuar prej +/- 2% të përcaktuar me rregullore”.
Pavarësisht këtij tejkalimi që do duhej të çonte në eliminimin e ofertës, komisioni ka vepruar ndryshe.
“Përkundër kësaj, komisioni i vlerësimit nuk kishte identifikuar dhe trajtuar gabimet aritmetike sipas kërkesave të rregullores, kishte rekomanduar operatorin ekonomik për shpërblim të kontratës dhe kontrata ishte nënshkruar bazuar në vlerën e pakorrigjuar të ofertës”, thuhet në gjetjet e auditorit.
Sipas ZKA’së, ky dështim ka ndodhur si pasojë e “mungesës së kontrolleve efektive gjatë procesit të ekzaminimit të ofertës”, gjë që rrit rrezikun për trajtim të pabarabartë të bizneseve dhe dëmtim të buxhetit publik.
Gazeta Insajderi iu është drejtuar me pyetje nënshkruesit të kontratës nga ana e Komunës së Prishtinës për gabimin e lejuar, Visar Shehut, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë asnjë përgjigje.
Edhe nga menaxhmenti i Komunës së Prishtinës janë pajtuar me gjetjen e ZKA’së, pa dhënë ndonjë koment lidhur me lëshimet që i kushtuan mbi një milion më shumë buxhetit të kryeqytetit.
Përgjatë këtij viti, Komuna e Prishtinës kishte ndarë edhe 80 mijë euro të tjera për punë të papara për ndërtimin e këtij sheshi për oligarkun e Edi Ramës.
“Çmimi i Propozimit (ofertës) se kandidatit – Grupit të Operatoreve Ekonomik SALILLARI; GJINI
CONSTRUCTION SH.P.K.; Hidroterm SH.P.K. me rastin e ofertimit ka qene në vlere totale prej
79,956.53 euro, (Faza I-rë). Pas zhvillimit te negociatave për negocim te çmimit kandidati ka bere
zbritje prej 321.84 euro nga vlera e ofertës (propozimit) dhe çmimi përfundimtar për këtë aktivitet
pas negocimit te çmimit është 79,634.69 € me TVSH“, thuhej në kontratën e publikuar nga Komuna e Prishtinës.
Pëllumb Salillari përveç që mori një projekt dhjetëra milionësh në Komunën e Prishtinës, ai “përkëdhelej” edhe nga niveli qëndror. Nga Liburn Aliu, atëkohë ministër i Infrastrukturës, tash drejtor i Portit të Durrësit, sigurohej që të ndante milionat nga taksapaguesit e Kosovës për oligarkun e Ramës.
Aliu 16 milionë i kishte ndarë për kompaninë Salillari SHPK për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Ferizaj, e paraparë të kryhej për një vit sipas planit dinamik. Për këtë, Aliu kishte shpallur një kompani të papërgjegjshme në mënyrë që t’ia besonte 16 milionët oligarkut të Edi Ramës.
Emri i Salillarit është përmendur edhe në një dosje të FBI për korrupsion, i cili i ka shpëtuar listës së zezë nga SHBA’të.
John Schindler, ish-analist i inteligjencës dhe oficer kundërzbulimit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë në SHBA, kishte shkruar në median amerikane “Washington Examiner” se ish-kryeagjenti i FBI, Charles McGonigal, u ka marrë rreth 30 milionë euro oligarkëve shqiptarë për t’i shpëtuar nga përfshirja në listën e zezë të SHBA-ve.
Oligarku Pëllumb Salillari akuzohet për korrupsion madhor një grup kryebashkiakësh dhe drejtorësh, me pasoja të rënda në buxhetin e shtetit.
Salillari, sipas dosjes amerikane, akuzohet për thyerje të ligjeve, pastrim masiv parash, bashkëpunim me grupe kriminale, shantazh dhe korruptim.
Pëllumb Salillari është identifikuar me krime mjedisore, manipulim të gjykatave, ndërtime pa leje, falsifikime etj. /Insajderi.org/