Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka reaguar pas prezencës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, në një simpozium filozofik në Greqi.
Haradinaj ka thënë me anë të një postimi në ‘Facebook’ se kryeministri në detyrë, siç u shpreh ai, po sorollatet në një shtet jo-njohës të sovranitetit të Kosovës, në kohën kur po mbahet Samiti i NATO-s në Turqi.
“Derisa kryeministri në detyrë sorollatet brigjeve të Greqisë, një shtet që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke marrë pjesë në simpoziume filozofike pa asnjë rezultat konkret për vendin, në anën tjetër po mbahet Samiti i NATO-s në Ankara, aty ku Kosova do të duhej të ishte duke ndërtuar partneritete, duke shtrënguar duar dhe duke hapur shtigje për avancimin e rrugës së saj drejt anëtarësimit në NATO”, ka deklaruar ai.
“Në vend që Kosovës t’i krijoheshin mundësi dhe dyer të hapura në një samit kaq të rëndësishëm, kjo qeveri, përmes përfaqësuesve të saj, vazhdon të prodhojë përçarje e sulme, herë kundër Kosovës, herë kundër Shqipërisë, herë kundër Amerikës”, vijon më tej ish-deputeti.
Haradinaj ka thënë se s’do të lejohet që të dëmtohet aleanca e Kosovës me SHBA’në.
“Nuk do të lejojmë që ndikimi rus të gjejë hapësirë në Kosovë. Kosova e ka vendin në familjen euroatlantike, krah Amerikës, e cila ka qëndruar pranë nesh në momentet më vendimtare të historisë sonë”, përmbyll shkrimin ai. /Insajderi.org/