Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka dhënë sinjalin më të fortë deri më tani se Britania e Madhe mund të shpallë një ditë pushimi zyrtar në rast se Anglia arrin të fitojë Kupën e Botës 2026.
Kombëtarja angleze ka siguruar një vend në çerekfinale të Botërorit, ku do të përballet me Norvegjinë e Erling Haalandit. Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel avancoi pas një fitoreje dramatike 3-2 ndaj Meksikës në stadiumin “Azteca”, ndërsa Norvegjia shkaktoi surprizën e madhe duke eliminuar Brazilin në New Jersey.
Edhe pse rruga drejt trofeut mbetet e gjatë, optimizmi dhe besimi në Angli po rriten gjithnjë e më shumë. Synimi është rikthimi i futbollit “në shtëpi” dhe fitimi i titullit të dytë botëror në histori.
Deri më tani, Starmer kishte mbajtur një qëndrim të rezervuar ndaj kërkesave për shpalljen e një dite pushimi kombëtar për sukseset e kombëtareve angleze, madje edhe pas triumfeve radhazi të Lionesses në Kampionatin Evropian për femra.
Po ashtu, ai refuzoi kërkesat që tifozëve t’u jepej pushim për të ndjekur ndeshjen ndaj Meksikës, e cila nisi në orën 01:00 sipas kohës britanike. Megjithatë, qeveria lejoi pub-et në Angli dhe Uells të qëndronin të hapura deri në orën 05:00 të mëngjesit, për t’u dhënë mundësi tifozëve ta ndiqnin takimin.
Tashmë, kryeministri në largim duket se ka zbutur qëndrimin e tij.
Gjatë një bisede me gazetarët në samitin e NATO-s, Starmer u pyet nëse Anglia do të shpërblehej me një “bank holiday” në rast të triumfit në Botëror.
“Nuk dua ta prish fatin, por më pyesni sërish nëse arrijmë në finale”, u përgjigj ai.
Kryeministri e përshkroi gjithashtu fitoren ndaj Meksikës si “një nga paraqitjet më të mira të Anglisë” që kishte parë ndonjëherë. Ai konfirmoi se nuk kishte ndjekur shembullin e Donald Trumpit për të kërkuar anulimin e kartonit të kuq të Jarell Quansah.
Një precedent i ngjashëm u krijua në Skoci. Në qershor, vendi përfitoi një ditë pushimi zyrtar për ndeshjen hapëse historike ndaj Haitit në Kupën e Botës, pas miratimit nga Mbreti Charles. Ideja ishte propozuar nga kryeministri skocez John Swinney për të shënuar rikthimin e Skocisë në Botëror pas 28 vitesh.
Finalja e Kupës së Botës 2026 do të zhvillohet më 19 korrik në “MetLife Stadium”, në New Jersey. Nëse Anglia arrin deri në aktin final, Starmer pritet të jetë i pranishëm në stadium, ashtu siç ishte edhe në finalen e Euro 2024 në Berlin.
Sipas raportimeve të mediave britanike, data më e mundshme për një ditë shtesë pushimi kombëtar do të ishte e premtja, 24 korrik. Kjo do t’i jepte kohë kombëtares të kthehej nga Shtetet e Bashkuara dhe, në rast triumfi, të organizohej një paradë dhe festime madhështore.
Starmer, një tifoz i njohur i Arsenalit, pritet t’ia dorëzojë postin ish-kryetarit të Manchesterit të Madh, Andy Burnham. Megjithatë, kalimi i detyrës mund të shtyhet nëse Anglia arrin në finale dhe shkruan histori.
Nëse “Tre Luanët” eliminojnë Norvegjinë, në gjysmëfinale do të përballen me fituesin e çiftit Argjentinë – Zvicër më 15 korrik në Atlanta.
Në anën tjetër të shortit ndodhen Franca, Maroku, Spanja dhe Belgjika, skuadra që mund të jenë kundërshtaret e Anglisë në finalen e madhe.
Për momentin, gjithçka do të vendoset në fushën e lojës. Megjithatë, mes tifozëve anglezë, ëndrra për fitimin e Kupës së Botës dhe për një ditë feste kombëtare tashmë është më pranë se kurrë.