Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës për takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Para nisjes së takimit, Hamza deklaroi se diskutimi do të fokusohet te parimet dhe theksoi se nuk ka vija të kuqe për bashkëpunim me partitë politike.
Ai u shpreh optimist se mund të gjendet një zgjidhje që do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit.
“Qëndrimi im është i qartë. Te unë është gjithmonë konsistenca prezent. Gjithmonë kam deklaruar që s’ka vija të kuqe me partitë politike, gjithmonë jam i gatshëm me bisedu me secilin lider politik në interes dhe në dobi të vendit dhe normalisht që deklarata ime ka qenë publike, ka qenë e qartë. Fillimisht për prioritetet, se unë kam garuar me një program, kam garuar me disa prioritete, nuk kam garuar për me i pasë 4-5 vetë ministra, 5-6 vetë, për me pasë këtë pozicion a atë pozicion, po kam garuar me pasë ambient më të mirë për biznesin, me pasë partneritet me aleatët tonë edhe me miqtë tanë, po edhe si partner me i trajtu. Me i rrit pagat, me i rrit pensionet e shumë prioritete të tjera”, tha Hamza.
Ky takim po zhvillohet pas ftesës së Albin Kurtit për takime të ndara me liderët e tri partive politike, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.