Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET i ka adresuar një kërkesë zyrtare Kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, për të kërkuar sigurimin dhe rregullimin e një hapësire për varreza në fshatin Begracë.
Sipas shkresës së dërguar nga kjo organizatë, banorët e pesë lagjeve të këtij fshati po përballen me mungesë të hapësirës ekzistuese për varreza, e cila vlerësohet si e pamjaftueshme për raste të reja.
Kërkesa është parashtruar pas shqetësimeve të shprehura nga vetë qytetarët e asaj zone.
Në shkresë përmenden edhe informacione jozyrtare, sipas të cilave Komuna e Kaçanikut e ka ndarë një lokacion për këtë qëllim, mirëpo i njëjti ende nuk është rregulluar apo funksionalizuar.
AVONET ka kërkuar nga autoritetet komunale që të ndërmarrin veprime konkrete për funksionalizimin e kësaj hapësire, duke u thirrur në obligimet që institucionet kanë sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës për sigurimin e hapësirave të nevojshme për varreza.